Bota

Lideri sirian Ahmed Sharaa bën thirrje për qetësi, mes dhunës vdekjeprurëse në Siri!

Udhëheqësi sirian, Ahmed Sharaa, sot bëri thirrje për paqe pasi qindra vetë u vranë në dhunën më vdekjeprurëse në 13 vitet e luftës civile. Përkrahësit e presidentit të rrëzuar Bashar al-Assad u vunë kundër sundimtarëve të rinj islamikë të vendit. Përleshjet, për të cilat një grup që monitoron luftën tha se shkaktuan vdekjen e 1 mijë vetëve, kryesisht civilë, vazhduan për të katërtën ditë në qendrën e mbështetësve të Assad-it.

Një burim sirian i sigurisë deklaroi se ritmi i luftimeve ishte ngadalësuar rreth qyteteve Latakia, Jabla e Baniyas ndërsa forcat e sigurisë kontrollonin zonat malore përreth ku fshiheshin afro 5 mijë kryengritës pro-Assad/it. Presidenti i përkohshëm Sharaa iu bëri thirrje sirianëve të mos lejojnë që tensionet sektare të destabilizojnë më tej vendin.

Ne duhet të ruajmë unitetin kombëtar dhe paqen në vend, ne mund të jetojmë së bashku, tha Sharaa në një video, duke folur në një xhami në lagjen e tij të fëmijërisë Mazzah, në Damask. Të jeni të sigurt për Sirinë, ky vend mund të mbijetojë… Ajo që po ndodh aktualisht në Siri është një sfidë e pritshme.

Rebelët e udhëhequr nga grupi islamik sunit i Sharaas, Hayat Tahrir al-Sham rrëzuan qeverinë e Assad-it në dhjetor. Assad-i u arratis në Rusi, duke lënë pas disa nga këshilltarët dhe mbështetësit e tij më të afërt.

Grupi i Sharaas emëroi një qeveri të përkohshme dhe mori drejtimin e forcave të armatosura të Sirisë. Përmbysja e Assad-it i dha fund dekadave të sundimit të familjes së tij, që u karakterizua nga një shtypje e ashpër dhe një luftë civile shkatërruese që filloi si një kryengritje paqësore në vitin 2011.

Lufta ku vendet perëndimore, ato arabe dhe Turqia mbështetën rebelët, ndërsa Rusia, Irani e milicitë besnike të Teheranit, Assad-in, u kthye në një teatër për konflikte mes fraksioneve të armatosura, me besnikëri dhe axhenda të ndryshme. Ajo ka shkaktuar vdekjen e qindra-mijëra njerëzve dhe ka zhvendosur miliona sirianë.

Pas muajsh qetësie relative pas rrëzimit të Assad-it, dhuna u rrit këtë javë kur forcat e lidhura me drejtuesit e rinj islamikë filluan një goditje ndaj një kryengritjeje në rritje nga sekti alavit i Assad-it në provincat mesdhetare të Latakisë dhe Tartous.

Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut, me bazë në Britani, tha dje se më shumë se 1 mijë vetë ishin vrarë në dy ditë luftime. Ai deklaroi se 745 ishin civilë, 125 anëtarë të forcave siriane të sigurisë dhe 148, luftëtarë besnikë të Assad-it.

Rami Abdulrahman, kreu i organizatës, deklaroi se civilët përfshinin gra dhe fëmijë alavitë. Abdulrahman sot i tha agjencisë Reuters se numri i të vdekurve ishte një nga më të lartët që nga një sulm me armë kimike nga forcat e Assad-it në vitin 2013, i cili shkaktoi vdekjen e rreth 1 mijë e 400 vetëve në një periferi të Damaskut.

Bashkimi Europian, zyrtarët e të cilit kanë zhvilluar bisedime me Sharaan që kur ai u bë udhëheqës de facto i Sirisë, dënoi “të gjithë dhunën kundër civilëve” dhe “çdo përpjekje për të minuar stabilitetin dhe perspektivat për një tranzicion të qëndrueshëm paqësor” në Siri.