Siria po përjeton dhunën më të madhe që nga rënia e regjimit të Bashar al-Assad/it dhjetorin e kaluar, aleatit të Iranit dhe Rusisë, familja e të cilit e sundoi vendin për 50 vjet. Luftimet mes besnikëve të Assad-it dhe forcave të sigurisë të qeverisë siriane që drejtohet nga lideri rebel i shndërruar në president të përkohshëm Ahmed al-Sharra, shpërthyen para tre ditëve në provincën bregdetare Latakia.
Analistët thonë se këto luftime po nxjerrin në pah vështirësitë e Sharaas për të mbajtur rend dhe rregull në Sirinë pas Assad-it, çka kënaq vendet si Irani, Izraeli e madje edhe ekstremistët e Shtetit Islamik (IS). Në Homs, Latakia e Tartus u vendos orë policore, për shkak të luftimeve të vazhdueshme dhe guvernatori i Latakias njoftoi se energjia elektrike u ndërpre plotësisht në këtë provincë.
Duke cituar një burim nga Ministria e Brendshme, agjencia zyrtare e lajmeve SANA, pranoi se kanë ndodhur “shkelje individuale” dhe premtoi se qeveria do t’iu japë fund. Në deklaratat e para për dhunën, Sharaa tha se “mbetjet e qeverisë së Assad-it u përpoqën ta sprovonin Sirinë e re” dhe u zotua se do t’i nxjerrë para drejtësisë.
Ai nuk foli për akuzat se forcat e tij kanë vrarë civilë, por lavdëroi forcat e armatosura lidhur me “përkushtimin për t’i mbrojtur dhe siguruar civilët”.
A i nisi Irani trazirat?
Luftimet filluan rreth një javë pasi ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, vendi i të cilit është mbështetës i madh i qeverisjes së Sharaas, paralajmëroi Iranin kundër përpjekjeve për të sfiduar qeverinë e re siriane duke fuqizuar grupet që i kundërvihen asaj.
Kjo nuk do të ishte qasja e duhur. Një veprim i tillë mund të nxisë një vend tjetër të bëjë të njëjtën gjë kundër jush.
Grupet e mbështetura nga Ankaraja iu bashkuan ofensivës së nisur nga grupi i Sharaas, Hayat Tahrir al-Sham (HTS), për ta rrëzuar Assadi-n nga pushteti. Sharaa ka pritur dhjetëra delegacione të huaja që nga marrja e drejtimit në Damask, por jo Iranin duke dalë në favor të rivalëve të tij, Turqisë e Arabisë Saudite, si dhe vendeve perëndimore.
Figurat iraniane, përfshirë liderin suprem Ayatollah Ali Khamenei, thanë se sirianët do të revoltoheshin kundër sundimit të Sharaas. Disa analistë sugjeruan edhe se Teherani mund t’i mbështesë Forcat Demokratike Siriane (SDF), të udhëhequra nga kurdët, për të sfiduar jo vetëm Sharaan, por edhe ndikimin në rritje të Turqisë.
Nën sundimin e Assad-it, Siria luajti rol kyç në korridorin strategjik tokësor të Iranit drejt Levantit. Ky korridor ishte jetik për ndikimin rajonal iranian, duke shërbyer si shtylla logjistike për rrjetin e tij të aktorëve shtetërorë e joshtetërorë.
Kush tjetër përfiton nga këto trazira?
Qeveria e re është përballur me sfida të shumta të sigurisë që kur rebelët morën pushtetin. Njerëz besnikë ndaj Assad-it, që i përkasin pakicës alavite, kanë sulmuar forcat e sigurisë së qeverisë së re ndërsa IS-i mbetet aktiv në disa zona të vendit. Ndërkohë, forcat izraelite kanë zgjeruar kontrollin territorial në jug të Sirisë. Thuhet se janë vendosur rreth 20 kilometra larg kryeqytetit. Izraeli ka shënjestruar asetet ushtarake dhe kërkon çmilitarizimin e jugut të Sirisë.