Lil Wayne duket se është gati t’i japë fund jetës si beqar, por kësaj here larg vëmendjes së showbiz-it dhe mediave rozë.
Sipas raportimeve të fundit ndërkombëtare, reperi amerikan 42-vjeçar është fejuar në fshehtësi me një vajzë shumë më të re në moshë, duke habitur fansat në mbarë botën.
Burime pranë artistit kanë zbuluar se propozimi për martesë është bërë më herët gjatë këtij viti.
Partnerja misterioze raportohet të jetë në të 20-at dhe me origjinë nga Indiana, ndërsa çifti ka zgjedhur ta mbajë lidhjen plotësisht larg syrit të publikut.
Sipas të njëjtave burime, Lil Wayne ka qenë jashtëzakonisht i kujdesshëm që romanca të mos ekspozohej në media, ndryshe nga marrëdhëniet e tij të mëparshme që shpesh kanë pushtuar titujt e portaleve rozë.
Kjo qasje më private ka bërë që lajmi për fejesën të zbulohet vetëm tani, duke ndezur menjëherë kureshtjen e fansave për identitetin e vajzës që i ka rrëmbyer zemrën reperit.
Gjatë viteve, jeta sentimentale e artistit ka qenë vazhdimisht në qendër të vëmendjes. Ai ka qenë i fejuar më parë me modelen La’Tecia Thomas, marrëdhënie që përfundoi në vitin 2020.
Më herët, emri i tij është lidhur edhe me këngëtaren Nivea, me të cilën ka një djalë, si dhe me aktoren dhe modelen Lauren London, ish-partneren e reperit të ndjerë Nipsey Hussle.
Në listën e romancave të komentuara të Lil Wayne përfshihet edhe reperja Trina.
Megjithatë, vitet e fundit artisti duket se ka ndryshuar totalisht mënyrën si e menaxhon jetën private, duke preferuar diskrecion të plotë dhe largim nga ekspozimi publik.
Deri tani, përfaqësuesit e reperit nuk kanë reaguar zyrtarisht për lajmin, ndërsa rrjetet sociale janë mbushur me teori dhe spekulime për identitetin e partneres misterioze.