Indeksi vjetor për Lirinë e Shtypit i organizatës Reporterët pa Kufij, Shqipëria renditet në vendin e 80-të, duke shënuar ngritje të dukshme krahasuar me 2024-ën, kur ishte e 99-ta. Raporti konkludoi se “peizazhi mediatik në Shqipëri ashtu si në Greqi që renditet e 89-ta, përshkruhet nga konfliktet e interesit”.
Nga vendet e tjera të Ballkanit, Mali i Zi renditet më mirë, i 37-ti, më pas Maqedonia e Veriut e 42-ta, Bosnjë-Hercegovina e 86-ta dhe Serbia e 96-ta.
Kosova me rënien më të madhe në 15 vjetët e fundit në indeksin vjetor të organizatës Reporterët pa Kufij, për Lirinë e Shtypit. Mes 180 shteteve, renditet e 99-ta në botë. Ky është viti i dytë radhazi që Kosova shënon rënie, pasi më 2024-ën ra nga vendi i 56-të në të 75-in, më keq në Ballkanin Perëndimor dhe Europë.
Në Kosovë, Sllovaki, Bosnjë-Hercegovinë dhe Serbi, mediat janë duke u përballur me një krizë ekzistenciale për shkak të shkurtimeve buxhetore e gjithashtu kontrollit politik.
Verën e kaluar, edhe pse pati kritika të mëdha, Kuvendi i Kosovës miratoi një ligj për Komisionin e Pavarur për Media (KPM), i cili, ndër të tjera, parashihte licencimin e mediave online, mbikëqyrjen e tyre dhe gjoba deri në 40 mijë euro.
Këtë javë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e rrëzoi ligjin, pasi argumentoi se disa nene të tij nuk ishin në përputhje me Kushtetutën e vendit.
Ndërkohë, në fillim të këtij viti, partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, u kritikua për bojkotimin e mediave. Në janar, organizata joqeveritare ndërkombëtare e vendore i kërkuan Vetëvendosjes të hiqte dorë nga bojkotimi i mediave të caktuara.
Raporti thekson edhe se media të pavarura në Europë e në Azinë Qendrore po përballen me një krizë ekonomike të paparë, e përkeqësuar nga ndalimi i menjëhershëm i ndihmës amerikane dhe ndikimi gjithnjë e më i madh i propagandës ruse. Ndër të tjera, dokumenti përmend përpjekjet e administratës së presidentit amerikan, Donald Trump, për pezullimin e financimit të Radios Evropa e Lirë.
Shkurtime të buxhetit gjatë administratës Trump, veçanërisht pezullimi i financimit për Radion Evropa e Lirë dhe Agjencinë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar [USAID] kanë dobësuar rëndë një sektor tashmë të brishtë, sidomos në vendet që përballen me regjime autoritare, korrupsion e luftë, thuhet në dokument.