“67 gazetarë janë vrarë në 12 muajt e fundit, si pasojë e punës së tyre”. Kjo u theksua në raportin e ri të “Reporterëve pa Kufij“, organizatë që e cilësoi 2025-ën si “vit vdekjeprurës për gazetarët”.
Gazetarët thjesht nuk vdesin, ata vriten. Numri i gazetarëve të vrarë është rritur sërish për shkak të praktikave kriminale të grupeve ushtarake, si të rregullta ashtu edhe paramilitare e krimit të organizuar. Të paktën 53 nga 67 profesionistë të mediave të vrarë gjatë vitit të fundit ishin viktima të luftës apo rrjeteve kriminale, deklaruan Reporterët pa Kufij.
Referuar raportit, pothuajse 43% e gazetarëve të vrarë në 12 muajt e fundit u ekzekutuan në Gaza nga forcat e armatosura izraelite.
Në Ukrainë, ushtria ruse “vazhdon të shënjestrojë gazetarët ukrainas dhe të huaj”. Gazetarët janë më në rrezik në shtetet e tyre.
Vetëm dy gazetarë të huaj u vranë gjatë këtij viti: fotoreporteri francez Antoni Lallican, nga një sulm rus me dronë në Ukrainë dhe kolegu nga Salvadori, Javier Hercules, në Honduras, ku po jetonte prej një dekade. Të gjithë gazetarët e tjerë të vrarë janë ekzekutuar në shtetet e tyre.
Po ashtu, Sudani është shndërruar në një zonë vdekjeprurëse lufte për gazetarët. Ndërkaq, në Meksikë grupet e krimit të organizuar janë përgjegjëse për rritjen e numrit të gazetarëve të vrarë. Ky është shteti i dytë më i rrezikshëm në botë për gazetarët, sipas “Reporterëve pa Kufij”, se aty janë vrarë nëntë gazetarë.
Aktualisht, 503 gazetarë janë arrestuar në mbarë botën, ku Kina ka numrin më të lartë (121), pasuar nga Rusia (48) që ka të arrestuar më shumë gazetarë të huaj se çdo vend në botë, përfshirë 26 ukrainas. Në vendin e tretë, Mianmari. 135 gazetarë janë të zhdukur në 37 shtete të botës, kryesisht në Lindjen e Mesme dhe Amerikë Latine. Këtu përfshihet edhe Kosova me pesë gazetarë që janë të zhdukur që nga lufta e vitit 1998-99.
“Reporterët pa Kufij” thanë se 20 gazetarë janë mbajtur peng, të gjithë burra. Tri shtetet që konsiderohen me rrezikshmërinë më të lartë për pengmarrje të gazetarëve janë Jemeni, që ka nëntë gazetarë që i mban peng, Siria me tetë dhe Mali dy. Sa i përket Jemenit, gazetarët janë marrë peng nga rebelët Huthi.
Në raportin e këtij viti, “Reporterët pa Kufij” kanë përfshirë edhe sulmet fizike ndaj gazetarëve. Në këtë drejtim është përmendur situata në Serbi.
Që nga fillimi i protestave kundër korrupsionit, të nxitura nga rrëzimi vdekjeprurës i strehës së një stacioni treni në nëntor të vitit 2024, profesionistët e mediave serbe që mbulojnë demonstratat janë subjekt i të paktën 98 sulmeve fizike, sipas regjistrimeve të “Reporterëve pa Kufij”, nga të cilat 91 kanë ndodhur që nga 1 janari 2025.
Rreth gjysma e këtyre sulmeve janë kryer nga policia me pandëshkueshmëri të plotë, në një klimë të formësuar nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiç ndaj mediave. Ai ndodhet në listën tonë për vitin 2025, si një nga kërcënuesit e lirisë së shtypit.