Pas lirimit të tre policëve të Kosovës nga Gjykata në Kralevë, reagoi kryeministri Albin Kurti. Ai shprehet se pavarësisht lajmit të gëzuar, “Serbia duhet të mbajë përgjegjësi për këtë agresion”. Në një postim në rrjetin social Twitter, Kurti shkruan:
Konfirmojmë se tre policët e rrëmbyer janë liruar. Edhe pse jemi të gëzuar që ata kthehen në familjet e tyre, ky rrëmbim konsiston në një shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut dhe duhet qortuar. Agresioni serb duhet të mbajë përgjegjësi.
Tre policët e Kosovës të arrestuar nga forcat serbe më 14 qershor, u liruan. Avokati nga Beogradi, Gradimir Naliç, i cili i përfaqësoi, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se iu është hequr paraburgimi dhe se “po lirohen”. Naliç tha se aktakuza kundër tyre u konfirmua, por do të mbrohen në liri.
Policët do të kthehen në Kosovë. Eshtë në interesin e klientëve të mos jap më shumë informacione.
Gjykata e Lartë në Kralevë, qytet në pjesën qendrore të Serbisë ku po mbaheshin tre policët konfirmoi ndërprerjen e masës së paraburgimit kundër tyre.
Drejtësia në Serbi i akuzoi për prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim të paligjshëm të armëve e lëndëve plasëse. Nëse shpalleshin fajtorë do të rrezikonin dënim me burg deri në 12 vjet heqje lirie.
Atyre iu dha masa e paraburgimit më 16 qershor, por nuk ishte e qartë kohëzgjatja e saj. Arrestimi nxiti reagime të shumta si në Kosovë, ashtu edhe te bashkësia ndërkombëtare, që vazhdimisht kërkoi lirimin e tyre. Qeveria Kurti pretendoi se u arrestuan në territorin e Kosovës e foli për “rrëmbim”, por në Serbi e mohuan këtë.
Nga Brukseli ku sot në axhendë ka një takim me kreun e Këshillit Europian, Charles Michel, kryeministri Edi Rama reagoi për lirimin e tre policëve të Kosovës nga Serbia. Rama e quajti “lajm të vonuar, por shumë të mirë”. Shefi i qeverisë uroi që menjëherë të fillojë de-eskalimi.