Mes muzeve falas dhe koncerteve të mëdha, Londra është kurorëzuar si qyteti më i mirë në botë për kulturën. Sipas sondazhit të revistës “Time Out”, një nga burimet kryesore për të zbuluar çfarë ia vlen të vizitosh në qytetet më të rëndësishme të botës, kjo ndodh falë një oferte artistike që shtrihet nga opera deri tek muzikantët e rrugës me reputacion, nga galeritë e vogla avantgardë deri te koleksionet më të famshme të artit.
Teatrot e Londrës, si për shfaqje dramatike ashtu edhe për musical, kanë çdo vit më shumë spektatorë sesa të gjithë 20 stadiumet e futbollit të Premier League të marra së bashku gjatë një sezoni të plotë.
Në muzetë e qytetit hyrja është falas për të vizituar disa nga koleksionet më të famshme të artit në botë, por njëkohësisht ekzistojnë edhe galeri të vogla që ekspozojnë artistë avantgardë ende të panjohur.
Në Londër, koncertet tërheqin emrat më të mëdhenj të muzikës lirike, klasike, jazz, rock dhe pop. Edhe muzikantët e rrugës, të quajtur “buskers” në anglisht, performojnë në stacionet e metrosë dhe në rrugë kundrejt një shpërblimi modest, që tashmë mund të paguhet edhe me kartë bankare përmes POS-it, jo vetëm me para cash.
“Kultura është në ADN-në tonë. Ajo gjeneron 64 miliardë paund në vit për ekonominë e qytetit (rreth 73 miliardë euro) dhe është arsyeja pse shumica e turistëve vijnë këtu”, u shpreh nënkryetarja e bashkisë, Justine Simons.