Konflikti në Lindjen e Mesme ka arritur në ditën e 621-të. Donald Trump po e shqyrton seriozisht bashkimin me luftën e Izraelit dhe nisjen e një sulmi ndaj objekteve bërthamore të Iranit, veçanërisht atij në Fordow. Këtë e zbulon portali Axios, duke cituar zyrtarë amerikanë.
Ndërkohë, presidenti Donald Trump lëshoi një paralajmërim kur në Truth Social shkroi:
Ne kemi kontroll të plotë të qiellit iranian.
Po ashtu, paralajmëroi liderin suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei:
E dimë se ku fshihet, nuk do ta vrasim për momentin, por durimi po mbaron: dorëzohuni pa kushte!
Një ditë më parë, shefi i Shtëpisë së Bardhë kryesoi Këshillin e Sigurisë Kombëtare në atë që njihet si Situation Room dhe në fund zhvilloi një bisedë telefonike me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahun.
Nga ana e tij, Khamenei nuk qëndroi indiferent dhe në një postim në rrjetin social X, kërcënoi:
Fillon beteja.
Po ashtu, reagoi Moska zyrtare duke ngritur alarmin:
Operacionet e Izraelit po e shtyjnë botën drejt një katastrofe bërthamore. Izraeli duhet të vijë në vete, të ndalojë sulmet ndaj objekteve bërthamore.
Sipas New York Times-it, Irani po përgatit raketa e të tjera pajisje ushtarake për të sulmuar bazat amerikane në Lindjen e Mesme nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës bashkohen në luftën e Izraelit. Por, ka edhe më shumë: Teherani mund të vendosë mina në Ngushticën e Hormuzit për të bllokuar anijet luftarake amerikane në Gjirin Persik.
Shpërthime u dëgjuan në Tel Aviv pasi autoritetet e shtetit hebraik njoftuan se kishin identifikuar dy valë raketash që vinin nga Republika Islamike. Përgjigja e Izraelit ishte e menjëhershme me forcat ajrore që kryen një seri sulmesh në zonën e Teheranit: u raportuan disa shpërthime.
Kryeministrja italiane Meloni komentoi zhvillimet e fundit në përfundim të samitit të G7-ës, duke u shprehur:
Qëllimi që të gjithë duam është të arrijmë negociata që nuk e lejojnë Iranin të bëhet një fuqi bërthamore.