Zjarrfikësit po vazhdojnë të bëjnë përpjekje që të frenojnë zjarret në Los Anxhelos teksa vijojnë të shkrumbojnë zona të tëra, për të shtatën ditë me radhë. Autoritetet amerikane evidentuan të pakën 24 viktima e 16 të zhdukur. Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, tha se kjo mund të jetë fatkeqësia më e madhe natyrore në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pasi ka shkatërruar mijëra shtëpi, si dhe ka detyruar mbi 100 mijë njerëz të evakuohen.
Referuar të dhënave zyrtare, më shumë se 12 mijë e 300 struktura janë dëmtuar ose shkatërruar. Situatën pritet ta përkeqësojnë edhe erërat me shpejtësi 80 deri në 112 kilometra në orë, të cilat, sipas Shërbimit Kombëtar të Motit, nisën dje në mbrëmje e parashikohet që të zgjasin deri të mërkurën e kësaj jave. Zyrtarët paralajmëruan të gjithë popullsinë e Qarkut të Los Anxhelosit prej afro 10 milion banorësh se mund të urdhërohet të evakuohet nga flakët dhe tymi toksik.
Këto erëra, të kombinuara me lagështi të ulët relative do ta mbajnë të lartë kërcënimin nga zjarri, tha në një konferencë për media, shefi i zjarrfikësve të Qarkut të Los Anxhelosit, Anthony Marrone.
Por mbetet pyetja se çfarë i shkaktoi zjarret?
Sherifi i Qarkut të Los Anxhelosit, Robert Luna, vuri në dukje se detektivët po vazhdojnë të hetojnë shkaqet e mundshme.
Absolutisht, gjithçka është në tryezë.
Vitet shumë të lagështa të Kalifornisë më 2022-shin dhe 2023-shin i dhanë hov bimësisë, por ajo u tha vitin e kaluar për shkak të thatësisë. Megjithëse erërat e forta dhe mungesa e shiut nxisin zjarre, ekspertët thonë se edhe ndryshimi i klimës po i rrit gjasat për të tilla vatra zjarresh. Ato në Los Anxhelos mund të rezultojnë si më të kushtueshmet në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sipas një vlerësimi paraprak nga AccuWeather, vlera e dëmeve mund të arrijë deri në 150 miliardë dollarë, por shifra nuk është zyrtare dhe mbetet të pritet.