Bota

Lufta në Ukrainë, Kievi pretendon për sukses të pjesshëm pranë Bahmutit!

Ndërsa vazhdon lufta ruse në Ukrainë, sot në mëngjes forcat pushtuese goditën me raketa rajonin e Zaporizhjës e të Sumit.  Si pasojë e sulmeve u plagos të paktën një person. Ndërkaq, Kievi pretendon për “sukses të pjesshëm” në afërsi të Bahmutit. Në Telegram, Yuriy Malashko, kreu i administratës rajonale ushtarake shkruan:

Sot në mëngjes, armiku hodhi disa raketa duke shënjestruar infrastrukturën civile në kryeqendrën e rajonit të Zaporizhjës. Të gjitha ekipet emergjente kanë dalë në vendin e ngjarjes.  Të paktën një banor i zonës u plagos gjatë sulmit në qytetin e Zaporizhjës.

Nuk ka raportime për viktima në Sumi, ku granatat kanë shkatërruar një shtëpi private, po sipas administratës ushtarake të këtij rajoni.

Shtabi i Përgjithshëm i forcave ukrainase raporton se trupat e tij kanë zmbrapsur disa sulme ruse në qytetet e në fshatrat në lindje, si dhe në jug të shtetit, përfshirë dhe në vendbanimet në Liman, Bahmut e Shaharsk në rajonin e Donjeckut.

Ushtria pretendon për një “sukses të pjesshëm” të forcave ukrainase në jug të Bahmutit, ku trupat “po tentojnë që të largojnë armikun e po ashtu të përforcojnë pozicionet e tyre”.

Ndër të tjera, Shtabi i Përgjithshëm tha se trupat po bëjnë përparim gradual në ofensivën e tyre në jug, drejt Detit Azov. Ndërkaq, Ministria ruse e Mbrojtjes pretendon se trupat e saj kanë zmbrapsur nëntë përpjekje të Ukrainës për të përparuar në jug të Bahmutit.

Raportimet për përparime në fushëbetejë nuk mund të konfirmohen në mënyrë të pavarur. Megjithatë, këto informacione vijnë në kohën kur forcat ukrainase janë përqendruar për të rimarrë Bahmutin që u pushtua nga trupat ruse në maj, pas muajsh luftimesh intensive që e kanë shndërruar këtë qytet në gërmadha.

Ukraina nisi kundërofensivën e saj në qershor, por ka kritika se ajo po shkon ngadalë dhe po përdoren taktika jo të përshtatshme.