Bota

Lufta në Ukrainë, ushtria ukrainase thotë se po vazhdon rezistencën në Bahmut!

Mbrojtësit ukrainas po vazhdojnë të rezistojnë ndaj një vale të re të sulmeve ruse në qytetin lindor të Bahmutit, pavarësisht se Rusia pretendon se ka avancuar në këtë qytet.

Njoftimet për luftime të ashpra në Bahmut vijnë në kohën kur Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar për ndihmë të re ushtarake për Kievin dhe Bashkimi Europian pritet që të diskutojë për paketën e re të sanksioneve, për shkak të luftës ruse në Ukrainë.

Forcat ruse kanë kryer 46 sulme ndaj pozicioneve ukrainase në vijën e frontit Bahmut-Avdijivka-Marjinka në rajonin lindor të Donjeckut, ku Moska ka përqendruar përpjekjet kryesore të betejës.

Përveç hedhjes së vazhdueshme të granatave, forcat ruse kanë përdorur dhe avionë për të sulmuar pozicionet ukrainase në Avdijivka.

Yevgeny Prigozhin, kreu i grupit rus të mercenarëve, Wagner, pretendoi se forcat e tij po bëjnë përparim në Bahmut. Por, në orët e vona të 9 majit akuzoi Ministrinë e Mbrojtjes së Rusisë se ka dështuar të furnizojë luftëtarët e tij me municion të mjaftueshëm dhe akuzoi trupat ruse se po ikin nga luftimet përreth Bahmutit. Këto deklarata ishin të fundit në serinë e pakënaqësive që ka shprehur publikisht për drejtuesit ushtarakë rusë.

Fajin ia lë mungesës së municioneve për paaftësinë e grupit të tij që të marrë kontrollin e Bahmutit dhe vetëm disa ditë më parë ka kërcënuar se do të tërheqë trupat nga qyteti, por më vonë u shpreh se forcat e tij kishin filluar të merrnin municione.

Guvernatori i rajonit rus, Kursk që gjendet në kufi me Ukrainën, tha se një “dron i armikut” u rrëzua. Roman Starovoit pretendoi se droni u rrëzua në afërsi të Kurskut dhe copa të tij ranë në fshatin Tolmaçovo, duke shkaktuar dëme materiale. Pretendimet e tij nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur.

Në Bruksel, sot të dërguarit e BE-së do të nisin debatin për paketën e re të propozuar të sanksioneve, të 11-ën me radhë lidhur me luftën e Rusisë kundër Ukrainës. Pakoja e re e sanksioneve shënjestron dhe kompanitë kineze e iraniane që mbështetin Rusinë.

Bisedimet pritet të jenë të vështira, sipas burimeve diplomatike të cituara nga Reuters. Nuk pritet të arrihet menjëherë marrëveshje.

Ndërkaq, dje Amerika njoftoi për paketën e re të ndihmës ushtarake në vlerë 1.2 miliard dollarësh për Ukrainën. Në paketën e re përfshihen municione, për të forcuar mbrojtjen ajrore dhe municione shtesë për artilerinë, siç njoftoi Departamenti amerikan i Mbrojtjes.