Lumi Vjosa doli nga shtrati në zonën e tregut të gjësë së gjallë, poshtë urës së Mifolit, duke shkaktuar përmbytje në disa banesa. Sipas autoriteteve, niveli i ujit ka arritur në 7.10 metra, duke përmbytur të paktën tre shtëpi pranë urës.
Shtabi i Emergjencave Civile është vënë në gatishmëri dhe ka njoftuar banorët e zonës për rrezikun e shtuar. Parashikimet meteorologjike tregojnë se në Përmet, Gjirokastër dhe Memaliaj priten reshje të dendura, të cilat mund të rrisin më tej prurjet e Vjosës dhe të përkeqësojnë situatën.
Autoritetet iu bëjnë thirrje banorëve të tregojnë kujdes dhe të ndjekin udhëzimet e strukturave të emergjencës, ndërsa ekipet e shpëtimit po monitorojnë nga afër gjendjen e lumit dhe zonat e rrezikuara.
Qarku i Lezhës ka kaluar sërish një natë të vështirë si pasojë e motit të keq me reshje te dendura shiu. Në zonën e Tales, rritja e nivelit të ujit të lagunës shkaktoi dëmtim të argjinaturës, duke bërë që uji të depërtojë drejt zonave të banuara. Gjatë gjithë natës, mjetet e tonazhit të rëndë kanë punuar për forcimin e argjinaturës me qëllim minimizimin e pasojave të mëtejshme dhe fatmirësisht nuk ka banesa të përmbytura.
Ndërkohë, situata ka qenë problematike edhe në Mirditë, ku aksi rrugor Rrëshen–Bukmirë ka pësuar shembje në disa pika, duke rrezikuar bllokimin e qarkullimit. Punëtorët dhe mjetet kanë punuar gjatë gjithë natës për të mbajtur rrugën të hapur dhe të kalueshme. Rruga Rrëshen-Bukmir është një arterie e rëndësishme, pasi i shërben qindra banorëve dhe lidh fshatrat e Njësisë Administrative Kaçinar me qendrën urbane.
Situata nga reshjet e shiut ka përmirësim të ndjeshëm në qarkun e Gjirokastrës. Akset rrugore kombëtare janë të qarkullueshme, por problem mbetet bllokimi i rrugës Suhë-Poliçan në bashkinë Libohovë për shkak të dëmtimit të një ure në dalje të fshatit Suhë. Problematika ka shfaqur furnizimi me energji i njësisë administrative Dropull i Poshtëm.