Bota

Macron: Garancitë për sigurinë e Ukrainës janë gati, 26 vende të gatshme për ndërhyrje!

Presidenti francez Emmanuel Macron ka deklaruar se garancitë e sigurisë për Ukrainën janë finalizuar dhe se vendet aleate janë të përgatitura të veprojnë për të mbështetur këtë shtet në mbrojtjen ndaj agresionit rus.

Ai paralajëroi gjithashtu sanksione të reja kundër Rusisë, në bashkëpunim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në një deklaratë të fortë për mediat ndërkombëtare, Macron theksoi se “nuk ka kufizime në mbrojtjen e Ukrainës”, duke bërë të qartë se Perëndimi është i vendosur të përballet me çdo kërcënim që vjen nga Moska.

Macron konfirmoi se 35 vende janë angazhuar për garanci sigurie ndaj Ukrainës, me përfshirje si ushtarake ashtu edhe politike. Ai shtoi se këto garanci janë hartuar nga strategë dhe shefa të mbrojtjes, të cilët kanë punuar intensivisht në muajt e fundit për të ndërtuar një plan të koordinuar mbështetjeje.

Sipas presidentit francez, 26 vende janë të gatshme të ndërhyjnë në tokë, në ajër apo në det për të mbrojtur qytetarët ukrainas dhe për të ruajtur armëpushimin sapo të zbatohet.

“Ne kemi një qëllim të qartë: të ringjallim ushtrinë ukrainase dhe ta ndihmojmë të përballojë agresionin rus,” tha Macron.

Macron vuri në dukje se Rusia po përpiqet të vonojë procesin e paqes, ndërsa vepron “me pëlqimin e disa partnerëve të saj në botë.” Në këtë kontekst, Franca dhe vendet aleate janë të gatshme të ndërmarrin masa të mëtejshme ndëshkuese, në bashkëpunim me SHBA-në.

Ai konfirmoi se ka pasur komunikim të drejtpërdrejtë me Presidentin amerikan Donald Trump, dhe se mbështetja amerikane për planin është tashmë drejt finalizimit.

“Përfundimet janë të thjeshta”, u shpreh Macron, duke nënvizuar se aleanca transatlantike është më e bashkuar se kurrë përballë rrezikut rus.
Presidenti francez tha se Evropa është e hapur për dialog, duke përmendur mundësinë e takimeve midis presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe presidentit rus Vladimir Putin. Por ai paralajmëroi se nëse Moska nuk pranon kushtet e propozuara, Perëndimi do të detyrohet të reagojë me masa të reja.

“Nuk mund të lejojmë shkeljen e së drejtës ndërkombëtare. Kjo nuk shqetëson vetëm Ukrainën, por sigurinë e të gjithëve ne,” përfundoi Macron.