Një Mercedes 190E 2.3-16 Cosworth, dikur makina e përditshme e Ayrton Senna-s, do të shitet në ankand nga RM Sotheby’s. Automjeti i rrallë u ble i ri nga kampioni brazilian në vitin 1985, kur ai jetonte në Britaninë e Madhe. Senna u frymëzua për ta blerë pas fitores në garën e famshme “Race of Champions” në Nürburgring në vitin 1984, ku mundi emra të mëdhenj të Formula 1.

Ai e përdori makinën për rreth 40,000 km, para se ta shiste kur u transferua në Monaco pas kontratës me McLaren. Sot, makina ka kaluar mbi 248,000 km, por ruan motorin origjinal Cosworth 2.3-litërsh me 185 kuaj fuqi dhe transmicion manual me pesë marshe. Ajo vjen me dokumentacionin origjinal, përfshirë regjistrimin në emrin e Senna-s, si dhe disa pajisje shtesë të ruajtura në gjendje perfekte. Ekspertët presin që makina të shitet për një shumë shumëfish më të lartë se vlera e zakonshme e këtij modeli.
Rikujtojmë se pas spekulimeve rreth potencialit të një marrëveshjeje historike për furnizimin me motorë midis Mercedes-Benz dhe BMW, është lëshuar një mohim zyrtar. Markus Schaefer, Drejtor i Teknologjisë dhe anëtar i Bordit të Menaxhimit në Mercedes-Benz Group, deklaroi se kompania nuk ka ndërmend të përdorë motorë të jashtëm veçanërisht jo nga një konkurrent i drejtpërdrejtë si BMW. Thashethemet të cilat u raportuan në gusht sugjeronin se dy prodhuesit gjermanë të veturave ishin në bisedime të avancuara që Mercedes të përdorte motorin me benzinë 2.0 litra me turbo të BMW-së (B48) në modelet e ardhshme, veçanërisht në automjetet kompakte dhe versionet hibride plug-in të C-Class dhe E-Class.