Në çdo episod të “Top Tech” me Mateo Kadriun zbulojmë të rejat më të fundit nga bota e madhe e teknologjisë. Me informacione dhe gjithçka të detajuar rreth risive dhe mundësive që po na ofrohen çdo ditë sidomos nga Inteligjenca Artificiale me avancimin e projekteve nga më të ndryshme.
Po ta them që në fillim, Rivian është kompania që realisht ka potencialin më të madh për t’ia zënë vendin Teslës. Jo me fjalë, jo me “do shohim”, por me makina reale, teknologji reale dhe plane që duken pak… të çmendura, por serioze.
Në eventin e tyre të parë Autonomy & AI Day, ata shpalosën planin për ta kthyer makinën në diçka që të çon nga shtëpia deri te destinacioni pa e prekur timonin fare, ndërkohë që ti je në telefon, lexon libër ose bën sikur punon.
Fillimisht, Rivian do të sjellë Universal Hands-Free: makina që ngasin vetë veten në mbi 3.5 milionë milje rrugë në Amerikë dhe Kanada. Jo vetëm në autostradë, por edhe në rrugë normale, me vija të vizatuara siç duhet (pra jo si në Ballkan). Kur do dalin këto opsione? Nga fillimi i 2026-ës, me pagesë $2,500 kur blen makinën ose abonim – sepse pa abonim nuk quhet më teknologji.
Pastaj vjen faza tjetër: eyes-off driving. Po, makina nget veten dhe ti s’ke pse ta shikosh rrugën. Dhe jo, kjo nuk është thjesht PR. Rivian po shkon drejt “personal L4”, pra autonomi e vërtetë në zona të caktuara. Dhe këtu CEO-ja e tyre, RJ Scaringe, e tha hapur: “Po, ne po shikojmë edhe për ta bërë robotaxi.” Waymo, shpresoj ta kesh kafen gati.
Teknologjia pas kësaj? Një çip që e kanë zhvilluar vetë që përpunon 5 miliardë pixela në sekondë, plus lidar mbi xhamin e përparmë. Rivian thotë se nuk po synon “human-level driving”, por “superhuman”. Me pak fjalë: makina sheh më mirë se ti kur bie shi.
R2 SUV del në 2026, por versionet me lidar dhe këtë super-kompjuter vijnë pak më vonë. Kush do autonomi serioze? Do presë.
Pra po, Rivian nuk po bën zhurmë kot. Po ndërton qetë, fort dhe me teknologji që Teslës i prish pak gjumin. Dhe ky, sinqerisht, është lajm i bukur për të gjithë.