Manchester United ka ndryshuar qasjen në merkato, duke i dhënë përparësi lojtarëve me përvojë në Premier League, në vend të talenteve ende të papjekura për nivelin e skuadrës së parë. Këtë e konfirmoi trajneri Ruben Amorim në një konferencë për shtyp.
Na duhet përvojë. Matheus (Cunha) është ende i ri, por ka eksperiencë. E sheh çdo fundjavë që është i gatshëm të përballet me kundërshtarët e nivelit më të lartë. Kjo është e rëndësishme kur zgjedhim lojtarët.
Trajneri portugez shtoi se kjo strategji është ndjekur edhe gjatë këtij sezoni, duke përfshirë përzgjedhjen e lojtarëve që jo vetëm kanë përvojë, por edhe karakteristikat për të përballuar presionin që vjen me fanellën e United.
Deri tani, Matheus Cunha dhe Bryan Mbeumo – të dy me eksperiencë të konsiderueshme në elitën angleze – janë bashkuar me “Djajtë e Kuq”.
Klubi vijon të kërkojë një sulmues qendror gjatë kësaj vere, dhe emra si Ollie Watkins janë përmendur si objektiva të mundshëm, por mbetet për t’u parë nëse do të finalizojnë ndonjë marrëveshje në javët në vijim.