E njohur gjithashtu si Perla e Tirrenit apo si Qyteti i 44 Kishave, Maratea do të magjepsë dhe të surprizojë jo vetëm ata që e vizitojnë për herë të parë, por edhe ata që kthehen vazhdimisht për të zbuluar vende të reja dhe të pazakonta, që nuk mund të gjenden askund tjetër në Itali.
Edhe në kulmin e sezonit të verës, Maratea mbetet një destinacion ëndrrash për ata që kërkojnë qetësi, natyrë të paprekur dhe një stil jetese të ngadaltë, larg zhurmës dhe komercializmit të destinacioneve të mbipopulluara. Në stacionin hekurudhor të Salernos, porta lindore drejt bregut të Amalfit, turma turistësh me kapele të mëdha presin trenin për në Napoli.
Ndërkohë, platforma përballë është pothuajse bosh. Vetëm disa vendas presin trenin rajonal që lëviz në drejtimin e kundërt: përgjatë bregut të detit Tirren, drejt Marateas, një qytet i vogël, por me bukuri të jashtëzakonshme.

Pas një udhëtimi panoramik prej më pak se dy orësh, mes kodrave të pyllëzuara dhe pamjeve magjepsëse të detit, udhëtarët zbresin në këtë copëz të pazbuluar të rajonit Basilicata, një zonë që shpesh cilësohet si “e harruar” në jug të Italisë.
Ndryshe nga qytetet ikonike të bregdetit të Amalfit, si Positano, Maratea nuk ka ndërtesa që duken si të varura në shkëmbinj, por ofron një peizazh të natyrës së egër e të pacënuar, i cili për shumëkënd është më i bukur dhe më autentik. Bregdeti i saj, që shtrihet mes rajoneve Campania e Calabria, mbetet jashtë itinerareve të zakonshëm turistikë ndërkombëtarë, diçka që e bën edhe më tërheqës.
Në portin e Marateas, një port i vogël peshkatarësh, vizitorët gjejnë një atmosferë me punishte artizanale, dyqane të vogla dhe restorante të rafinuara si Laterna Rossa, ku shërbehen pjata krijuese me përbërës vendas, si kanoli me karkaleca të gjallë, mousse me rikota dhe gazpacho, apo makarona të mbushura me peshk të ditës, djathë provola dhe limon.
Qyteti i vjetër, i njohur si Maratea superiore, ngjitet lart në kodër me rrugica të ngushta, shtëpi në ngjyra pastel dhe plot 44 kisha të shpërndara në të gjithë zonën. Mbi të, qëndron monumenti 21 metra i lartë i Krishtit Shpëtimtar, me krahët e hapur mbi detin Tirren dhe gjiret e mbuluara me pyje. Nga maja, panoramat janë të paharrueshme, një përzierje e gjelbërimit, shkëmbinjve dhe detit të pafund.
Në mbrëmje, Maratea ofron edhe një udhëtim gastronomik në “cucina povera”, kuzhina e thjeshtë tradicionale e Basilicatës. Në fund të ditës, tingujt e vetëm që dëgjohen janë cicërimat e gjinkallave dhe përplasja e lehtë e dallgëve. Maratea mbetet një destinacion që ofron të njëjtën bukuri si Bregu i Amalfit, por pa radhë, pa trafik, pa çmime të fryra dhe pa nxitim./shqip.al