Bota

Mark Carney fitoi zgjedhjet! Presidenti Begaj: Të punojmë për të forcuar marrëdhëniet midis dy vendeve!

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, përgëzoi Kryeministrin e ri të Kanadasë, Mark Carney, për fitoren në zgjedhje.

Në një mesazh të publikuar në profilin zyrtar në platformën X, Kreu i Shtetit shprehet për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve që ndajnë vlera të përbashkëta dhe që kanë si urë miqësie komunitetin shqiptar që jeton në Kanada.

“Urime për fitoren Mark Carney! Shqipëria dhe Kanadaja ndajnë vlera të përbashkëta demokratike dhe lidhen nga një urë e fortë miqësie: komuniteti shqiptar që jeton e punon në Kanada. Të punojmë së bashku për të forcuar marrëdhëniet midis dy vendeve“, shkroi Presidenti i Republikës në mesazhin e urimit drejtuar Kryeministrit kanadez Mark Carney.

Partia Liberale siguroi një numër të mjaftueshëm vendesh për të formuar një qeveri minoritare në Kanada, duke e vendosur Carney-n zyrtarisht në rolin e udhëheqësit të ri të vendit, vetëm disa javë pasi mori drejtimin e partisë pas dorëheqjes së Justin Trudeau.

Carney, një ish-bankier, fitoi mbështetje javët e fundit, i përkrahur nga qëndrimi luftarak tregtar i presidentit të SHBA-ve Donald Trump dhe kërcënimet për aneksim.

Konservatorët e opozitës, të udhëhequr nga Pierre Poilievre, bënë fushatë mbi një platformë uljeje taksash dhe ulje të shpenzimeve qeveritare. Rreth 29 milion kanadezë kishin të drejtën për të zgjedhur të 343 anëtarët e Dhomës së Komuneve në Otava.