Gjatë një konference për zhvilluesit e Inteligjencës Artificiale të Meta-s, CEO, Mark Zuckerberg zbuloi plane ambicioze për përdorimin e AI-së në zhvillimin e softuerit. Në një bisedë kryesore me CEO-n e Microsoft-it, Satya Nadella, Zuckerberg parashikoi që deri vitin e ardhshëm, Inteligjenca Artificiale mund të jetë përgjegjëse për deri në 50% të kodit të shkruar te Meta. Nadella tha se AI tashmë shkruan 20-30% të kodit në Microsoft dhe disa projekte janë tërësisht të gjeneruara nga AI.
Zuckerberg shkoi edhe më tej, duke “vizatuar” një të ardhme ku inxhinierët do të funksionojnë si drejtues teknikë që menaxhojnë ekipe të agjentëve të AI-së. Siç vlerësohet më tej, diskutimi theksoi një prirje gjithnjë në rritje në industrinë e teknologjisë. AI po kthehet nga një mjet ndihmës në një forcë kryesore në krijimin e kodit. Dy drejtuesit folën gjithashtu për ndikimin më të gjerë të AI-së, nga sistemet agentike deri te ndikimi ekonomik global, duke reflektuar vizionin e tyre të përbashkët për një të ardhme të fuqizuar nga AI.
Kompania Meta, është duke u përballur me një gjyq vendimtar në SHBA, që mund të çojë në ndarjen e saj nga platformat Instagram dhe WhatsApp. Procesi gjyqësor nisi më 14 prill, pas një hetimi gjashtëvjeçar nga Komisioni Federal i Tregtisë (FTC), që pretendon se Meta ka shkelur ligjet e konkurrencës. Sipas padisë, Meta përdori praktika antikonkurruese për të mbrojtur dominimin e saj në tregun e rrjeteve sociale personale. FTC pretendon se blerjet e Instagram më 2012 dhe WhatsApp më 2014 ishin mënyra për të eliminuar kërcënimet konkurruese ndaj Facebook. Në dokumente citohet një email i Zuckerberg nga viti 2008 ku thuhet: “Është më mirë të blesh sesa të konkurrosh”.