Kryeministri i Marokut, Aziz Akhannouch ka bërë me dije se vendi i tij do të rrisë kapacitetin e aeroporteve deri në vitin 2030. Sipas qeverisë, synohet që kapaciteti të jetë rreth 80 milionë pasagjerë, ku aktualisht mirëpret maksimalisht rreth 38 milionë pasagjerë. Ky plan është pjesë e përgatitjeve për të mirëpritur eventin e rëndësishëm të futbollit, Kupën e Botës 2030, së bashku me Spanjën dhe Portugalinë, si dhe për të promovuar turizmin.
Maroku po punon gjithashtu për të zgjeruar rrjetin e tij të trenave me shpejtësi të lartë deri në Marrakech para Kupës së Botës dhe më tej në jug drejt Agadirit. Kapaciteti i aeroportit të Kasablankës do të zgjerohet në 23.3 milion pasagjerë, ndërsa qendrat turistike Marrakech dhe Agadir do të kenë kapacitet prej 14 milionë pasagjerësh deri në vitin 2030. Maroku ka arritur një rekord prej afro 16 milionë turistësh gjatë 11 muajve të parë të këtij viti, duke kaluar totalin e vitit të kaluar falë numrit më të madh të linjave ajrore, sipas shifrave të ministrisë së turizmit.
Ndërkaq, linjat ajrore kanë udhëzime të ndryshme për mënyrën se si njerëzit duhet të mbërrijnë përpara nisjes së avionëve të tyre, por ndonjëherë kjo mund t’i lërë pasagjerët të nxitojnë për të arritur në portën e tyre. Këshillat e reja nga stafi i linjës ajrore dhe shërbimet e sigurisë së aviacionit thonë se pasagjerët duhet të jenë në aeroport tre orë përpara një udhëtimi ndërkombëtar, veçanërisht nëse keni kontrolluar bagazhin. Një zëdhënës i “Air New Zealand” tha se koha e nisjes për fluturime të caktuara mund t’i bëjë aeroportet më të ngarkuara dhe të rrisë shanset për shfaqjen e problemeve, kështu që tre orë janë një udhëzues i mirë.
Rikujtojmë se revista Air Travel Awards ka zhvilluar edicionin e saj të parë, ku 5000 ekspertë të udhëtimit kanë votuar për të përcaktuar aeroportet më të mira në botë në 22 kategori të ndryshme. Këto çmime synojnë të ngrenë në pah rëndësinë e aeroporteve si qendra lidhëse që përfaqësojnë qytete, vende dhe kultura të ndryshme. Aeroportet janë shumë më tepër se thjesht stacione tranziti; ato janë porte që ofrojnë një përvojë unike udhëtimi. Ndër elementët që i japin një aeroport identitet dhe cilësi, përmenden arkitektura e veçantë, infrastruktura moderne, si dhe shërbimet që ofrohen për pasagjerët.