Aktualitet Politikë

Marta Kos vlerëson Ramën: Edi po bën shkëlqyeshëm, nëse vazhdon kështu Shqipëria anëtarësohet në 2029!

Shqipëria mund të anëtarësohet në Bashkimin Europian në vitin 2029 nëse qeveria vazhdon reformat.

Kështu u shpreh Komisionerja për Zgjerimin e BE-së, Marta Kos, gjatë fjalës së saj në Forumin e Bledit në Slloveni.

Eurokomisionerja Kos vlerësoi Kryeministrin Edi Rama për punën që po bën në lidhje me çeljen e kapitujve.

“Në 10 muajt e fundit kemi hapur më shumë grupkapituj se sa 5 vitet e fundit dhe kemi mbyllur më shumë kapituj se sa 10 vitet e fundit. Kështu që kemi çelur dy grupkapituj të tjerë për Shqipërinë këtë vit, kemi rënë dakord me Edin që do të festojmë, së pari në Bruksel dhe vitin tjetër me ndeshjen e futbollit midis vendeve kandidate dhe shteteve anëtare në Tiranë, kuptohet që Presidenti i UEFA-s do të luajë me ne, e po kështu edhe ca të tjerë. Me Malin e Zi po ecim përpara dhe është e mundur në qoftë se përfundojmë në 2026 në aspektin teknik të bisedimeve, në 2028 mund të kemi 28 anëtarë të BE. Dhe në qoftë se Edi vazhdon të bëjë atë që po bën në mënyrë të shkëlqyer, atëherë në 2029 mund të kemi 29 anëtarë. Kështu që shpejtoni”, tha Marta Kos.

Forumi i Bledit në Slloveni ka shënuar këtë vit 20-vjetorin e edicionit. Shumë liderë shtetesh të Europës e zyrtarë të BE-së janë të ftuar në diskutimin mbi të ardhmen e Bashkimit Europian dhe rolin e shteteve.

Në diskutimin për zgjerimin e BE-së, Rama tha se Shqipëria po punon fort për të arritur objektivat e vendosura nga Komisioni Europian për të përmbyllur negociatat e anëtarësimit deri në vitin 2027.

“Ne nuk po themi që jemi gati për 2027, por kemi objektiva të qarta të hedhura në tryezë nga Komisioni që na sfidojnë të realizojmë të gjitha piketat dhe të gjitha kriteret që t’i përmbyllim negociatat deri në 2027. Po shtyjmë përpara dhe nuk po bëjmë pyetje. Gjëja më e mirë për të bërë me BE është të jesh i lirë kur flet në Bled, por pastaj të thuash PO”, -tha Rama.