Gazetari Enrik Mehmeti humbi jetën mbrëmë, në një aksident në zonën e Zvërnecit, pranë daljes së Dajlanit.
Mehmeti udhëtonte me një motomjet me 4 rrota kur humbi kontrollin duke u përmbysur. Për shkak të dëmtimeve të rënda trupore, fatkeqësisht, 40 vjeçari nuk arriti të mbijetojë. Në motomjet ndodhej si pasagjer një 18 vjeçar, i cili pësoi dëmtime të lehta, pa rrezik për jetën.
Nga verifikimet paraprake, rezulton se ngjarja aksidentale ndodhi jashtë zonës rrugore, në një sipërfaqe bregdetare dhe nuk ka përfshirë mjete të tjera apo përdorues të rrugës.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se, duke lëvizur me një motomjet me katër rrota, ai ka humbur kontrollin mbi drejtimin e motomjetit, i cili është përmbysur. Si pasojë e përmbysjes, drejtuesi i motomjetit, shtetasi E.M., ka pësuar dëmtime të rënda trupore.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe autoambulanca. I dëmtuari është transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal Vlorë, ku, pavarësisht ndihmës së dhënë nga personeli mjekësor, ka ndërruar jetë.
Në motomjet ndodhej si pasagjer shtetasi K.S., rreth 18 vjeç, i cili ka pësuar dëmtime të lehta pa probleme për jetën.
Nga verifikimet paraprake rezulton se ngjarja aksidentale ka ndodhur jashtë zonës rrugore, në një sipërfaqe bregdetare dhe nuk ka përfshirë mjete të tjera apo përdorues të rrugës.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen të gjitha veprimet procedurale në vendngjarje për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të kësaj ngjarjeje aksidentale.