Aktualitet

Matura Shtetërore, sot provimi i fundit i Lëndës me Zgjedhje!

Rreth 27 mijë maturantë sot i nënshtrohen provimit të fundit të Maturës Shtetërore, atij të Lëndës me Zgjedhje. Provimi fillon në orën 10:00 dhe do të zgjasë 2 orë e 30 minuta. Për zhvillimin e tij janë rreth 145 qendra, ku çdo qendër administrohet nga një përgjegjës administrimi dhe nga administratorë të caktuar për çdo mjedis ku zhvillohet provimi.

Për korrigjimin e testeve janë angazhuar më shumë se 640 mësues. Provimet e maturës po zhvillohen në shkolla që plotësojnë kushtet infrastrukturore të përcaktuara në Rregulloren e Maturës Shtetërore.

Këtë vit, Ministria e Arsimit dhe Sportit ka vendosur që të ketë edhe teste të personalizuara për maturantët që janë me aftësi speciale.

Pas provimit të gjuhës së huaj më 10 qershor, të gjuhës shqipe dhe letërsisë më 18 qershor, të matematikës më 24 qershor, maturantët kanë sot provimin e fundit, atë të lëndës me zgjedhje.