Pak minuta pas nisjes së provimit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, i dyti i Maturës Shtetërore 2025 teza e kësaj lënde u përhap duke qarkulluar në rrjetet sociale. Kështu po ndodh çdo vit e fenomeni u përsërit edhe më 3 qershor me testin e Anglishtes. Provimi, i cili nisi në orën 10:00 dhe përfundon më 12:30, organizohet me masa të rrepta sigurie, por të pamjaftueshme për të ndaluar përhapjen e tezës.
Menjëherë më pas reagoi Ministria e Arsimit, provimi po kryhet sipas standardeve dhe procesi nuk është cenuar.
Provimi i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë po kryhet sipas standardeve, nuk cenohet procesi. Ministria e Arsimit dhe Sportit garanton se janë marrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar mbarëvajtjen e procesit të provimeve dhe për të ruajtur integritetin e tij të plotë. Publikimi i tezës së provimit të lëndës Gjuhë shqipe dhe Letërsi, pas fillimit të procesit të testimit nuk e cenon aspak ecurinë dhe besueshmërinë e procesit të provimit të Maturës Shtetërore.
Rreth 27 mijë maturantë, në 145 qendra provimi në të gjithë vendin, po zhvillojnë provimin e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë në kushte të qeta dhe në përputhje me të gjitha standardet e sigurisë të parashikuara në rregulloren e Maturës. Institucionet arsimore, në bashkëpunim me MAS-in, mbeten të angazhuara për të ofruar një proces të drejtë, të barabartë dhe transparent për çdo maturant.