Mbi 100 viktima nga përmbytjet e papritura që goditën Teksasin qendror në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të premten e kaluar. Një numër ende i panjohur personash vazhdojnë të mbeten të zhdukur. Ekipet emergjente vijojnë kërkimet nëpër brigjet e lumenjve të mbuluara me baltë, ndonëse shpresat për të gjetur të mbijetuar janë duke u zvogëluar.
“Mystic”, një kamp veror vetëm për vajza konfirmoi të paktën 27 prej tyre dhe anëtarë të stafit janë në mesin e viktimave.
Dhjetë vajza dhe një këshilltar nuk janë gjetur ende.
Në Qarkun Kerr, ku ndodhej kampi, vdiqën të paktën 84 persona, 56 të rritur e 28 fëmijë, pasi lumi Guadalupe u mbush me ujë nga shirat e rrëmbyeshëm dhe përmbyti zonën. 32 vetë nuk janë identifikuar ende, njoftoi policia.
Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë i hodhi poshtë deklaratat e disa kritikëve se shkurtimet buxhetore në Shërbimin Kombëtar të Motit (NWS) mund ta kenë penguar reagimin ndaj katastrofës.
Ky ishte një veprim i Zotit, u shpreh sekretarja e Shtypit, Karoline Leavitt. Nuk është faji i administratës që përmbytja ndodhi në atë kohë… Kishte paralajmërime të hershme e të vazhdueshme dhe sërish, Shërbimi Kombëtar i Motit e bëri punën e tij.
Pse përmbytjet në Teksas ishin aq shkatërruese?
Ekspertët thonë se janë disa faktorë që kontribuuan në këtë tragjedi, përfshirë: motin ekstrem, vendndodhjen e shtëpive dhe kohën. Në atmosferë kishte një sasi të madhe lagështie nga një stuhi tropikale, që pati shkaktuar përmbytje në Meksikë para se t’i drejtohej veriut, duke u shuar gradualisht.
Qarku Kerr, ku humbën jetën 84 persona është një zonë më kodrinore se qarqet e tjera përreth të Teksasit. Kjo bëri që ajri me lagështi të ngrihej lart e të krijonte re stuhie. Këto re ishin aq të mëdha sa u kthyen në një sistem të veçantë moti, duke shkaktuar reshje të dendura shiu në një zonë të gjerë.