Aktualitet

Mbi 160.000 mijë raste me Koronavirus në të gjithë botën

Në botë, bëhet gjithnjë e më dramatik bilanci i infektimeve nga koronavirusi, deri tani regjistrohen mbi 160 mijë të prekur. Kina mbetet vendi me numrin më të lartë të viktimave, 3 mijë e 199, edhe pse situata është në përmirësim të ndjeshëm e janë 11 provinca kineze që nuk kanë shënuar raste të reja. E ndërsa në total kanë humbur jetën mbi 6 mijë vetë, më shumë se 2 mijë i përkasin Europës ku vetëm në Itali janë 1 mijë e 809 viktima. Më pas vjen Spanja me 7 mijë e 800 të infektuar e 288 persona që ndërruan jetë.

Të tjera vende europiane po ndjekin shembullin e Italisë duke mbyllur gjithçka, siç vepro Republika Çeke dhe Austria. Nga këto çaste, Gjermania mbyll kufijtë me Francën, Zvicrën e Austrinë për të ndalur përhapjen e koronavirusit. Por pavarësisht kësaj, garantohet qarkullimi i mallrave. Aktualisht, në Gjermani numrohen 5 mijë e 72 të prekur me COVID-19. Me 4 mijë e 500 të prekur e 90 viktima, edhe Franca është blinduar e lejohen vetëm disa fluturime ndërkombëtare.

Gjithashtu, Britania vendosi të ashpërsojë masat dhe një prej tyre është vendosja në karantinë të detyrueshme e moshave 70-vjeç e lart, edhe nëse nuk kanë simptoma. Vetëizolimi në shtëpi pritet të zgjasë 4 muaj. Në Britani kanë humbur jetën 35 vetë e 1 mijë e 400 janë të infektuarit. Në Shtetet e Bashkuara është çështje orësh deri sa kombi të ndalet. Rastet janë mbi 3.774 mijë e viktimat, 69.

Nju Jorku, Los Anxhelosi e Las Vegasi marrin masa shtrënguese kundër koronavirusit që në Shtetet e Bashkuara ka infektuar  3.774 mijë vetë, ndërsa 69 janë viktimat. Nga nesër, në Nju Jork e Los Anxhelos mbyllen baret e restorantet, si dhe të tjera vende publike. Në Las Vegas mbyllen disa kazino e hotele të njohura deri në një njoftim të dytë. Gjithashtu, nuk do të hapen as lokalet në Kalifoni, Illinois e Ohajo. Autoritetet amerikane këshillojnë të mos ketë grumbullime të më shumë se 50 vetëve.