Rajoni

Mbledhja e dy parlamenteve në Prishtinë, Rama: Duhen hequr kufizimet për Kosovën, duhet të bindim BE-në!

Nga salla e Kuvendit të Kosovës ku po mbahet mbledhja e përbashkët edhe me Kuvendin e Shqipërisë, kryeministri Edi Rama theksoi se duhen hequr kufizimet për Kosovën e të bindin Bashkimin Europian. Sanksioneve të Unionit, iu referua si “absurditet absolut”.

Bashkë me Osmanin kërkuam që të hiqen. Bashkë me Osmanin kërkuam në Bruksel që fondet e BE-së, të destinuara për Kosovën, të mos digjen.

Po ashtu, theksoi nevojën e finalizimit të dialogut Kosovë-Serbi përmes BE-së. Ndër të tjera, shefi i qeverisë nuk kurseu kritikat ndaj politikës së reciprocitetit me Serbinë.

Kosova e ka mundur Serbinë me luftë 25 vite më parë dhe nuk duhet ta lidhë me të, fatin e saj europian. Kosova të përmbushë kushtet e normalizimit me Serbinë për hir të martirëve. Kosova nuk duhet të presë çfarë do të bëjë Serbia që më pas të vijojë me hapat drejt BE-së dhe NATO-s.

Në mbledhjen e përbashkët me fokus koordinimin e axhendës kombëtare për realizimin e objektivave strategjike, marrin pjesë drejtuesit më të lartë e deputetë të të dy vendeve. Në nisje, kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca, akuzoi Serbinë se synon destabilizimin me “metoda terroriste”.  Konjufca theksoi se Kosova dhe Shqipëria janë me njëra-tjetrën “në çdo rrethanë dhe pa asnjë kusht”.

Duke qenë se ne nuk mund të përfaqësojmë tjetër gjë përveçse interesin kombëtar të kombit që për ne është i përbashkët. E drejta e Kosovës për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit, forcimi i ligjit, nuk mund të konsiderohen cënim i fqinjësisë së mirë dhe as përshkallëzim i raporteve me fqinjët. Eshtë Serbia që nuk na e pranon as statusin e fqinjit, por ambiciet e saj hegjemoniste vazhdon t’i ketë të kodifikuara në Kushtetutë.

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, tha se Tirana dhe Prishtina ndajnë synime e vizione të njëjta drejt integrimeve europiane.

Realizimi i objektivit tonë, anëtarësimi në BE, integrimi euroatlantik i Kosovës dhe njohja përfundimtare e saj si realitet i pakthyeshëm, rritja e rolit të faktorit shqiptar, stabiliteti për paqe dhe siguri, janë detyrat tona, themeli i të ardhmes sonë.

Kryeministri Rama nuk la pa përmendur as Hashim Thaçin e të tjerë, që përballen me proceset gjyqësore në Hagë.

Në mungesë të Hashimit, Kadriut, Jakupit, Rexhepit, është nyja e mbledhur në fyt, nga dyshimi, se ai proces është i parregullt ligjor dhe se standardet e tij janë nën standardet e drejtësisë të çdo vendi demokratik që e financon atë gjykatë.

Gjykata është e pavarur, por standardet nuk varen nga gjykatësit. Ndoshta ky shqetësim i përhapur mund të mos qëndrojë, por nëse qëndron, atëherë kjo është gjëmë e madhe. Jo për ata 4 njerëz të thjeshtë, por për vete integritetin e drejtësisë ndërkombëtare, të cilës kjo republikë ia dha në mirëbesim gjykimin e historisë që lindi republikën.

Prandaj, nuk mund të lihet në heshtje shurdhuese që ushqehet prehja gjithfarë motivesh nga më fisniket deri te më politiket, që ajo gjëmë nëse është gjëmë, ta bëjë dëmin e vet deri në fund. Dua ta dini të gjithë, se nëse Kuvendi do e ndërmerrte nismën për t’iu drejtuar gjitha shteteve sponsorizuese të gjykatës speciale dhe nëse do të na kërkohej që një nisme të tillë t’i bashkohet edhe Kuvendi i Shqipërisë, PS-ja do të angazhohej pa asnjë ngurrim që të njëjtën rezolutë ta depozitonte edhe në Kuvendin e Shqipërisë.

Kryeministrat Rama dhe Kurti u takuan para nisjes së seancës. Të pranishëm ishin edhe Osmani, Konjufca, Spiropali. Kjo është mbledhja e parë mes dy kuvendeve në Prishtinë. Seanca e fundit e përbashkët u mbajt dy vjet më parë në Tiranë, në 110-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.