Në këto çaste mblidhet Komisioni i Posaçëm Parlamentar që po heton shkeljet e pretenduara të Kushtetutës nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta me dekretin për anulimin e 30 Qershorit si datë zgjedhjesh. Në rend dite është shqyrtimi i opinionit të Komisionit të Venecias ku theksohet se “Meta tejkaloi kompetencat, por se shkelja nuk është aq e rëndë sa të shkarkohet”. Gjithashtu, deputetët pritet të shqyrtojnë raportin sekret të Shërbimit Informativ Shtetëror se më 8 Qershor do të digjej Kuvendi në protestën e Opozitës. Kreu i shtetit tha se u bazua te ky informacion në vendimin për anulimin e zgjedhjeve. Po ashtu, në objektin e punës dhe planin hetimor të Komisionit, Maxhoranca pritet të shtojë të tjera pika për të cilat thotë se përbëjnë shkelje. Një e tillë konsiderohet përzgjedhja e Marsida Xhaferllarit si anëtare e Kushtetueses, e dekretuar nga Meta në përfundim të afatit 30-ditor. Xhaferllari bëri betimin në Presidencë, ndërsa për karriken e saj, Maxhoranca njeh Arta Vorpsin.