Sipas burimeve amerikane dhe britanike pranë mjekëve që po kujdesen për shëndetin e Mbretit Charles, forma e kancerit e diagnostikuar tek sovrani në vitin 2024 nuk është e shërueshme.
Lajmi është publikuar nga “Daily Telegraph, Perez Hilton” dhe “Radar Online”, duke konfirmuar dyshimet që u ngritën disa javë më parë kur Princi Harry la të kuptohej për gjendjen e rënduar të babait të tij, duke thënë për BBC:
Pyes veten se sa kohë i ka mbetur për të jetuar.
Pavarësisht kësaj, Mbreti Charles vijon të përmbushë detyrimet e tij dhe pritet të marrë pjesë në ceremoninë e “Trooping the Colour” më 14 qershor, një prej ngjarjeve më të rëndësishme të kalendarit mbretëror.
Ndërkohë, Princi William dhe Kate Middleton raportohet se po përgatiten për çdo skenar, teksa kanë intensifikuar angazhimet dhe daljet e tyre publike, duke marrë gjithnjë e më shumë rolin qendror në familjen mbretërore.
Shtypi britanik dhe amerikan citon mjekët pranë Mbretit: “Sovrani nuk do të vdesë nga kanceri, por me kancer” duke lënë të kuptohet se sëmundja është e menaxhueshme, por jo e shërueshme.
Nga ana tjetër, Pallati Buckingham përpiqet të qetësojë opinionin publik, duke theksuar se Mbreti po e fiton betejën dhe ka kaluar fazën më të vështirë të sëmundjes.
Kujtojmë se diagnoza u bë publike në fillim të vitit 2024, pasi kanceri u zbulua gjatë një operacioni për prostatën.
Fillimisht gjendja u konsiderua nën kontroll, por muajt e fundit sovrani ka përjetuar ulje-ngritje për shkak të efekteve të trajtimeve, gjë që e detyroi të pezullonte përkohësisht angazhimet publike në mars.
Megjithatë, familja mbretërore vijon të mbajë një qëndrim pozitiv, edhe pse rrjedhja e informacionit e ka shtuar shqetësimin për të ardhmen e Mbretit.