Rajoni

“Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut”, Kosova i shpall “organizata terroriste”!

Qeveria e Kosovës shpall organizata terroriste “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut” që veprojnë në veriun me shumicë serbe. Në mbledhjen e sotme, kryeministri Albin Kurti deklaroi:

Bazuar në vlerësimet e institucioneve të sigurisë së Kosovës, formacionet ilegale “Mbrojtja Civile” dhe komponenti i saj, “Brigada e Veriut” paraqesin kërcënim serioz e të drejtpërdrejtë për rendin kushtetues dhe sigurinë e Kosovës.

Kurti foli dhe për masat ndëshkuese të Bashkimit Europian, që akuzon Prishtinën se nuk ka ndërmarrë hapa për të shtensionuar situatën në veri.

Pavarësisht se dje në Parlamentin Europian, Komisioni Europian prezantoi  një listë të masave kundër Kosovës, Prishtina vazhdon të jetë partnerja më e sinqertë dhe më e qëndrueshme në rajon e bllokut sa i përket vlerave europiane. Në disa raste, Kosova ka qenë kritike ndaj BE-së, por asnjëherë cinike dhe as e hidhëruar. Autoritetet nuk janë të hidhëruara, as pas prezantimit të masave ndëshkuese.

Pavarësisht zhvillimeve rrethanore, ne e vlerësojmë përkrahjen e ndihmën e Bashkimit Europian përgjatë gjithë këtyre viteve dhe mezi e presim pyetësorin për anëtarësim sepse Europa është kontinenti ynë. Bashkimi Europian është fati ynë.

Në mesin e masave ndëshkuese të Unionit pritet pezullimi i punës të të gjitha grupeve të punës për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA). Po ashtu, u paralajmërua se do të pezullohet financimi i programeve të BE-së, mosmiratimi i projekteve nga Fondi për Investim në Ballkanin Perëndimor, si dhe pezullimi i takimeve në nivele politike.

Zyrtarët europianë thanë se këto masa “nuk janë marrë me lehtësi” dhe ato mund të hiqen nëse Kosova ndërmerr hapa drejt shtensionimit të situatës. Bashkimi Europian i ka parashtruar disa kërkesa Kurtit sa i përket tensioneve. Një prej tyre është shpallja e zgjedhjeve të parakohshme në veri të vendit.

Nga kryeministri kërkohet të tërheqë njësitë speciale të Policisë së Kosovës nga zonat rreth objekteve komunale. Po ashtu, kryetarët e zgjedhur shqiptarë të punojnë përkohësisht në ndërtesa alternative, jo në ato komunale. Një tjetër kërkesë ka të bëjë me rikthimin në dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.