Aktualitet

Me 45 mijë euro të padeklaruara, e pëson shtetasi grek!

Goditet një rast i mosdeklarimit të parave në kufi. Në Sarandë u procedua penalisht një shtetas grek dhe iu sekuestruan 45 mijë euro që nuk i kishte deklaruar, kur tentoi të dilte nga Shqipëria me shumën e parave.

Shërbimet e Policisë Kufitare në PKK Port Sarandë, gjatë kontrolleve të vazhdueshme që kryejnë me synim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive, i kanë gjetur një shtetasi, në çantë, 45 000 euro, të cilat ai po tentonte t’i nxirrte nga Shqipëria, pa i deklaruar.

Në vijim të veprimeve për rastin, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin grek G.V., banues në Greqi.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.