Në një kohë kur kufijtë mes jetës profesionale dhe asaj private janë bërë më të paqarta se kurrë më parë, një stil jetese i ri po fiton popullaritet në mbarë botën: “Pajamas All Day”. Jo më thjesht një shaka për fundjavat e dembelta, ky trend është bërë simbol i një qasjeje të re ndaj komoditetit, mirëqenies dhe vetëpranimit.
Nga yjet e Hollywood-it tek CEO-t e kompanive të mëdha që shfaqen në video-konferenca me bluza pambuku dhe pantallona të buta, e deri te dizajnerët që nxjerrin koleksione “luxury loungewear”, veshjet e shtëpisë po përjetojnë një rilindje. Në vend të veshjeve të ngurta dhe formale, njerëzit po zgjedhin copa më të buta, më natyrale dhe me prerje që favorizojnë lirinë e lëvizjes, pa kompromentuar aspak stilin.

Kjo qasje nuk është më thjesht për estetikë. Psikologët theksojnë se zgjedhja e veshjeve të rehatshme, veçanërisht në ambientet ku ndihesh i sigurt dhe vetvetja, ndihmon në uljen e stresit dhe rrit ndjesinë e mirëqenies. Për shumë persona që punojnë nga shtëpia, garderoba e re përbëhet kryesisht nga kombinime “hybrid” që përfshijnë elementë si kimono, pantallona të gjëra pambuku, triko kashmiri dhe shapka me dizajn modern.
Industria e modës ka reaguar shpejt ndaj këtij trendi. Marka të mëdha si SKIMS, Sleeper apo Eberjey kanë sjellë koleksione që mund të vishen edhe në shtëpi, edhe jashtë, duke thyer çdo kufi tradicional mes “pajama” dhe “outfit”. Hashtag-u #pajamasallday është shndërruar në një formë të re të vetë-pranimit, ku njerëzit ndajnë momentet e tyre të rehatisë pa ndjenja faji. Në vend që të ndjekim rregullat e vjetra të formalitetit, po i japim vetes leje për të qenë më të natyrshëm. Në fund të ditës, ndoshta nuk ka asgjë më moderne sesa të ndihesh mirë në lëkurën, dhe pizhame tënde.