Bota

Me Trump-in president, jo më sekrete shtetërore për vrasjet e Kennedy-t e të Luther King-ut!

Nga sot, Donald Trump merr detyrën si presidenti i 47-të amerikan, me premtimin për të sjellë “4 vite fantastike në Amerikë”, si dhe dëbimin më masiv të emigrantëve ilegalë. Një tjetër njoftim tronditës, me Trump-in president nuk do të ketë më sekrete shtetërore për dy vrasjet e bujshme të Kennedy-t e të Luther King-ut.   Në Capital One Arena në Uashington zhvilloi të fundit tubim si president i zgjedhur.

Ne fituam. Jam i lumtur që u ktheva. Do ta rimarrim vendin. Do ta bëjmë Amerikën përsëri të madhe. Ne do ta marrim vendin e do të mbyllen perdet e rënies amerikane dhe do të fillojmë një ditë të re fuqie, prosperiteti, dinjiteti e krenarie. Do t’i japim fund mbretërimit të një administrate të dështuar.

Ovacione dhe këngë për fjalimin e mbajtur. Më 12:00 me orën lokale dhe 18:00 në Shqipëri, betimi pritet brenda Kapitolit në Uashington.

Do të nisim deportimin më të madh masiv në historinë e SHBA-ve. Do të ndalojmë pushtimin në kufi.

Duke folur në Capital One Arena në prag të betimit të tij, presidenti i zgjedhur përsëriti qasjen e vijës së ashpër ndaj emigracionit.

Ne trashëgojmë një fatkeqësi brenda dhe jashtë vendit. Do të veproj shpejt për të adresuar krizat e ndryshme. Krimi në mbarë botën është ulur dhe ju doni të dini pse? Sepse ata dërguan kriminelët e tyre në Shtetet e Bashkuara. Ne do të nisim deportimin më të madh masiv në historinë amerikane.

Brenda disa orëve nga marrja e detyrës, Donald Trump pritet të shfuqizojë urdhrat ekzekutivë të Joe Biden-it. Presidenti iu referua qartë politikave që kanë të bëjnë me diversitetin, barazinë dhe përfshirjen.

Do t’i rikthehemi meritokracisë.

Më tej, njoftoi se do të shfuqizojë sekretin e shumë dokumenteve amerikane, përfshirë ato që kanë të bëjnë me vdekjet e John Fitzgerald Kennedy-t, Robert Kennedy-t dhe Martin Luther King-ut.

Edhe SHBA-të do të kenë “Kupolën e tyre të Hekurt”/ Donald Trump synon të japë indikacione për ndërtimin e një “Kupole të Hekurt” për Shtetet e Bashkuara, e cila “do të prodhohet në SHBA”. Presidenti i zgjedhur e tha këtë nga skena e Capital One Arena-s në Uashington.

Fitorja është vetëm fillimi. Donald Trump thirri Elon Musk-un në skenë. Pronari i Tesla-s, mori fjalën:

Ne po presim të bëjmë shumë ndryshime. Fitorja është vetëm pika fillestare. Ne do të hedhim themelet që Amerika të jetë e fortë për shekuj, përgjithmonë, tha Musk.