Uashingtoni është bërë gati për inagurimin e presidentit të zgjedhur, Donald Trump. Për shkak të temperaturave tejet të ulëta, ceremonia u zhvendos në mjediset e brendshme të Kapitolit. Në kryeqytetin amerikan, siguria është rritur ndërsa përgatitjet po shkojnë drejt fundit.
Të shtunën në mbrëmje, Trump ishte në klubin e tij të golfit në Stirling të Virxhinias, ku me bashkëshorten, Melania Trump, ndoqën një spektakël fishekzjarrësh.
Po të shtunën, presidenti i zgjedhur fluturoi nga Palm Beach-i i Floridës drejt Uashingtonit, me një avion të Forcave Ajrore amerikane. Rrjetit televiziv amerikan ABC, i tha se në fjalimin e tij të inaugurimit do të bëjë thirrje për unitet, forcë dhe drejtësi.
Një ditë më parë, Trump vendosi një kurorë me lule te Varri i Ushtarit të Panjohur, në Varrezat Kombëtare në Arlington, shumë pranë Uashingtonit. Në axhendë edhe një takim me mbështetësit në Uashington. Ndërkohë, punimet për skenën brenda Kapitolit ku do të bëhet betimi i Donald Trump-it, po ashtu janë drejt fundit. Për shkak të temperaturave tejet të ulëta, ceremonia e inagurimit u zhvendos në ambiente të brendshme.
Nëse ceremonia do të mbahej jashtë, te platforma e ndërtuar në atë që njihet si krahu përëndimor i Kapitolit do të vendoseshin rreth 1 mijë persona. Tashmë, në ambientet e brendshme, kjo shifër reduktohet në rreth 600 të ftuar, që do të thotë se një pjesë e të ftuarve nuk do të mund të marrin pjesë në ceremoni.
Hera e fundit kur moti i acartë e zhvendosi ceremoninë në mjedise të mbyllura ishte viti 1985. Në atë kohë, Ronald Reagan bëri betimin për mandatin e tij të dytë presidencial. Pas betimit, zakonisht, shefi i Shtëpisë së Bardhë përshkon me limuzinën e tij një nga bulevardet kryesore të Uashingtonit e më pas ndalet duke ecur në këmbë e përshendetur turmat e njerëzve, deri sa mbërrin në Shtëpinë e Bardhë.