Bota

Kennedy, “mallkimi” që nuk mbaron/Mbesës së ish-presidentit amerikan i mbetet 1 vit jetë!

Një tragjedi e re godet familjen Kennedy në Amerikë. Tatiana Schlossberg, vajza e Caroline Kennedy-t dhe mbesa e JFK, u diagnostikua me leuçemi terminale ditën që lindi fëmijën e dytë. Mjekët i japin maksimumin e një viti jetë, me transplante të palcës së kockave dhe trajtime eksperimentale gjithnjë e më agresive. Tatiana e përshkroi përvojën e vështirë në New Yorker, duke e lidhur eksperiencën personale me shkurtimet në kujdesin shëndetësor amerikan nga kushëriri i parë i nënës së saj, Robert F. Kennedy Jr.

Zbulimi i Sëmundjes

Tatiana, 35 vjeçe është fëmija i dytë i Caroline dhe bashkëshortit Edwin Schlossberg. Ajo është e martuar me mjekun George Moran e kanë dy fëmijë. Leuçemia akute mieloide që e goditi një vit e gjysmë më parë paraqet një mutacion të rrallë të njohur si “inversioni i kromozomit 3” dhe që gjendet në më pak se 2% të rasteve, kryesisht te pacientët e moshuar.

Nuk mund ta besoja që po flisnin për mua, shkruan Schlossberg për mjekët. Një ditë më parë, kisha notuar një milje në pishinë, në muajin e 9-të të shtatzënisë. Nuk isha e sëmurë. Isha një nga njerëzit më të shëndetshëm që njihja.

Tatiana rrëfen udhëtimin e mundimshëm të trajtimit, me disa raunde kimioterapie, dy transplante të palcës së kockave dhe pjesëmarrje në dy prova klinike eksperimentale. Më vonë, njoftoi se në shtator iu diagnostikua një formë e virusit Epstein-Barr që i shkatërroi veshkat dhe se iu desh të mësonte përsëri të ecte.

Gjatë provës së fundit klinike, mjeku më tha se mund të ishte në gjendje të më mbante gjallë për një vit.

Sulmi ndaj djalit të xhaxhait të nënës

Më pas, Tatiana foli për sëmundjen dhe trajtimin duke iu referuar edhe djalit të xhaxhait të nënës, Robert Kennedy Jr., sekretar i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore në administratën Trump:

Një burim turpi për mua dhe pjesën tjetër të familjes. Mjekët në Qendrën Mjekësore NewYork-Presbyterian/Columbia ku u trajtova, nuk e dinin nëse do të prekeshin nga shkurtimet federale të urdhëruara nga administrata Trump për Universitetin Columbia. Papritmas, sistemi i kujdesit shëndetësor nga i cili varesha ishte i paqëndrueshëm.

“Mallkimi”

Tragjedia e Schlossbergut i shtohet të tjerave në historinë e familjes, e cila përfshin shumë vdekje të parakohshme: nga vrasja e gjyshit, JFK, në vitin 1963 dhe e vëllait të tij, ish-Prokurorit të Përgjithshëm Bobbie Kennedy, në vitin 1968 e deri te rrëzimi fatal i avionit të dajës së saj, JFK Jr., mbi Martha’s Vineyard.