Bota Botë e Çuditshme

Megaprojekti rreth Hënës që do të na furnizojë me energji 24/7!

Një plan ambicioz dëshiron ta shndërrojë Hënën në një burim energjie për Tokën, por është ende vite dritë larg realizimit. Ideja duket si diçka e nxjerrë nga një skenar fantastiko-shkencor, por ka ekzistuar prej vitesh. Bëhet fjalë për një “unazë diellore” gjigante rreth Hënës që do të gjeneronte energji dhe do ta dërgonte atë në Tokë pa ndërprerje.

Projekti është japonez dhe njihet si Unaza Luna. Ai synon të ndryshojë mënyrën se si e perceptojmë energjinë në shkallë globale, ndërsa në praktikë, ky është një propozim i bazuar në shfrytëzimin e rrezatimit të vazhdueshëm diellor në Hënë, ku nuk ka re ose atmosferë për të kufizuar efikasitetin e paneleve. Rezultati, mund të jetë një rrjedhë konstante energjie që zgjat 24 orë në ditë.

Në zemër të planit është një unazë panelesh diellore që do të shtrihen përgjatë ekuatorit hënor. Me një gjatësi prej 10,900 kilometrash dhe gjerësi deri në 400 kilometra, kjo strukturë do të formonte një brez të vazhdueshëm energjie rreth Hënës. Logjika pas kësaj është se, pavarësisht faktit që nata hënore zgjat rreth 14 ditë, një sistem kaq i gjerë mund të “ndiqte” vazhdimisht dritën, duke e mbajtur prodhimin e energjisë sa më të qëndrueshëm të jetë e mundur. Plani parashikon që energjia elektrike e gjeneruar në Hënë do të shndërrohet në rreze mikrovalësh ose lazeri. Këto do të drejtohen në objekte të posaçme marrëse në Tokë, ku do të shndërrohen përsëri në energji elektrike.