I ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën ka qenë Ksenofon Ilia, drejtues i Institucionit të Gjuhës së Trupit, psikolog klinik, këshillues familjar. Ai ka analizuar sjelljet në çift, shkaqet e debateve dhe divorcet ne rritje në shoqëri…
A janë divorcet e shtuara një kambanë alarmi për institucionin e familjes, apo e kundërta? A po shkattërrohet institucioni i familjes, apo më në fund njerëzit po kuptojnë që nuk jemi të detyruar të rrimë me dikë gjithë jetën?
Të dyja luajnë rol. Ajo që mendoj unë nuk është shkatërrimi i familjes se sa është mirëqenia e familjes. Mirëqenia e bën këtë. Nëse unë kam të ardhura, sepse shumë martesa bëhen edhe për të siguruar një të ardhme të sigurt ekonomike, sidomos për femrat. Nëse ajo ka një bazë ekonomike, ajo nuk është e thënë që të martohet dhe të bëjë procesin e martesës nga ana ligjore për të pasur një fëmijë, ka metoda plot për t’ u bërë nënë edhe pa patur një bashkëshort. Kemi ardhur në kohëra të tilla, duhet t’i pranojmë gjërat. Dhe kur ajo ka ekonominë, thotë ‘çfarë më duhet mua ta mbaj atë tjetrin’. Po të shikosh në vendet nordike ndihet kjo, ka më shumë ndarje ose divorce, ka më pak martesa, sepse ata kanë zgjidhur anën ekonomike. Thonë ‘A kam lumturinë time? Pse duhet të kem dhe tjetrin/tjetrën nëpër këmbë? Jetoj vetëm, bëj çfarë të dua, paratë i kam.’ Është çështje filozofie, çështje këndvështrimi. A do shkojmë drejt prishjes së familjes? Nuk e di. Që rrugët po na çojnë atje, këtë e di. Por sa do zgjasë kjo periudhë, a është kalimtare apo jo, këtë nuk e di. Historikisht nuk ka ekzistuar familja, familja është krijuar shumë më vonë. Kanë jetuar në tribu, në fise, një grua mund të shkonte me dhjetëra burra ose një burrë mund të shkonte me dhjetëra gra. Nuk ishte nocioni i familjes, asaj njësisë së vogël. Do prishet? Nuk e di. Do jetojë? Këtë nuk e di. Nuk jam unë i aftë të gjykoj. Por gjërat tregojnë se po zhbëhet dalëngadalë. Vjen si rrymë, vjen si ajër që na futet nga vendet e tjera më të zhvilluara, e po vjen edhe këtu tek ne. Po të shikosh shifrat e divircit, janë alarmante. Por mendoj që ekonomia është ajo që i bën të pavarur edhe gratë, edhe burrat, sidomos gratë. Sa më para të ketë, aq më shumë divorce do të ketë.