Bota Music

Merz: Gjermania duhet ta bojkotojë Eurovisionin nëse Izraeli përjashtohet!

Nëse Izraeli përjashtohet, kancelari gjerman, Friedrich Merz, u shpreh se Gjermania duhet të tërhiqet nga pjesëmarrja në festivalin e këngës, Eurovision, që vitin e ardhshëm mbahet në Vjenë të Austrisë. I pyetur në një intervistë për transmetuesin publik ARD, në rast se Gjermania duhet të heqë dorë vullnetarisht nga pjesëmarrja, Merz u shpreh:

Nuk do ta mbështesja këtë. Mendoj se është një skandal që po diskutohet. Izraeli e ka vendin atje.

Spektakli muzikor përfshin vende nga Europa, mes tyre Shqipëria, si edhe më gjerë. Duhet theksuar se presioni ndaj organizatorëve të festivalit është rritur në javët e fundit, pasi disa transmetues, përfshirë ata nga Spanja, Irlanda e Holanda kanë kërcënuar se do të tërhiqen nëse Izraelit nuk i ndalohet pjesëmarrja, për shkak të luftës në Rripin e Gazës ku forcat izraelite kryejnë sulme të vazhdueshme.

Transmetuesit kombëtarë luajnë një rol vendimtar në Eurovision, për arsye se ata janë përfaqësuesit zyrtarë të vendeve të tyre në Unionin Europian të Transmetimeve (EBU).

Siç dihet, EBU-ja është përgjegjëse për përzgjedhjen e këngëve pjesëmarrëse, bashkërendimin e transmetimeve direkte, si edhe mbikëqyrjen e procedurave të votimit.

EBU-ja njoftoi në fund të muajit të kaluar se pritet që të zhvillojë një takim online me të gjithë transmetuesit anëtarë në nëntor, për të votuar mbi pjesëmarrjen në garën e vitit 2026.

Eurovisioni i ardhshëm është planifikuar që të mbahet në Vjenë, në maj 2026. Protesta të mëdha publike kundër pjesëmarrjes së Izraelit në Eurovision janë mbajtur në dy edicionet e fundit.