Meta po u ofron krijuesve të njohur amerikanë nga aplikacionet e konkurrentëve si TikTok mundësinë për të fituar 5,000 dollarë për të krijuar përmbajtje në platformat e saj. Kjo përkon me “Breakthrough bonus programme” të Meta që u ofron krijuesve nga aplikacione të tjera deri në 5000 dollarë bonuse në 90 ditët e para të regjistrimit. Ata duhet të ndajnë të paktën 20 video në Facebook dhe 10 në Instagram brenda 30 ditëve nga pranimi i termave dhe kushteve të programit të bonusit.
Raportohet se videot duhet të kenë përmbajtje origjinale nga një krijues amerikan i moshës 18 vjeç e lart dhe megjithëse nuk përmend TikTok me emër, thuhet se krijuesi duhet të ketë “një prani ekzistuese në një llogari sociale të palës së tretë”. Meta thotë se do të llogarisë bonuset bazuar në një vlerësim të “prezencës sociale” të secilit krijues, duke shtuar se krijuesi duhet të jetë gjithashtu krejtësisht i ri në Facebook ose Instagram.
Trump shpëtoi TikTok pasi u ndalua për një kohë të shkurtër të dielën. Një varg emrash të mëdhenj nga bota e teknologjisë dhe madje edhe qeveria e SHBA-së janë shpallur si pronarë të rinj potencialë të gjigantit të rrjeteve sociale. Ndërkaq, Meta u është përgjigjur përdoruesve që thonë se e kanë gjetur veten automatikisht duke ndjekur presidentin Donald Trump, zëvendëspresidentin JD Vance dhe zonjën e parë Melania Trump menjëherë pas inaugurimit të Trump. Drejtori i komunikimit të Meta-s, Andy Stone, shkroi: “Njerëzit nuk u detyruan të ndiqnin automatikisht asnjë nga llogaritë zyrtare në Facebook ose Instagram për Presidentin, Zëvendës Presidentin ose Zonjën e Parë”.
Menjëherë pasi presidenti i ri amerikan, Donald Trump njoftoi një investim të ri masiv në infrastrukturën e AI nga Shtëpia e Bardhë, Elon Musk u përpoq ta shkatërronte atë. “Ata në fakt nuk kanë para”-shkroi Musk në X. Trump tha se investimi do të krijojë një kompani të re, të quajtur Stargate, për të rritur infrastrukturën e Al në SHBA. Bëhet e ditur se drejtuesit e SoftBank, OpenAI dhe Oracle qëndruan përkrah Trump gjatë njoftimit. Kompanitë e tyre përkatëse do të investojnë 100 miliardë dollarë në total për fillimin e projektit, me plane për të investuar deri në 500 miliardë dollarë në Stargate në vitet e ardhshme.