Në Komisionin e Posaçëm “Për të koordinuar dhe mbikëqyrur të gjitha veprimet institucionale për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike të vendit”, ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha tha se “aftësinë për t’iu përgjigjur sulmeve hibride, Shqipëria e konsideron si një prioritet madhor, me qëllim ruajtjen e rendit e garantimin e sigurisë kombëtare”.
Ka një vlerësim të përbashkët të institucioneve në përballje më sulmet hibride e që kërkon një qasje bashkëpunuese mes gjithë strukturave dhe agjencive shtetërore që janë të angazhuara në përmbushjen e sigurisë në nivel kombëtar e ndërkombëtar.
Burimet e inteligjencës së vendeve partnere, konkludojnë se autorët kryesorë të fushatave hibride dhe formave kryesore të tyre në sulmet kibernetike janë aktorë shtetërorë e organizma të sponsorizuar prej tyre e më pak organizata biznesi joqeveritare.
Në nivelin global është e pranuar se në çdo sulm kibernetik janë të ashtuquajturit “Big Four”, Rusia, Kina, Irani dhe Koreja e Veriut.
Për vendet e Ballkanit Perëndimor, Hoxha theksoi se “Rusia është ndër vendet më aktive në luftën hibride”.
Rajoni i Ballkanit Perëndimor është i ndarë e në të veprojnë forca konkurruese politike. Vlerësohet se Rusia ka shtuar praninë e ndikimin në rajon, duke vonuar e kundërshtuar procesin europian të vendeve të tij nëpërmjet ndikimit politik dhe ekonomik.
Propaganda politike nuk vjen direkt nga Moska por e ripaketuar në të njëjtën mënyrë si të vinte nga andej e të shpërndahej ndërmjet satelitëve të saj në rajon. 90% e propagandës ruse bëhet në gjuhën serbe.
Sa i përket Shqipërisë, ministri nënvizoi se “është më pak e prekur e më pak e ndikuar nga kjo fushatë hibride e Rusisë dhe e satelitëve të saj në rajon”.
Vlerësohet se kohët e fundit, infrastrukturës dezinformuese ruse në rajon i janë shtuar portale edhe në gjuhën shqipe, me shikueshmëri e lexueshmëri të kufizuar dhe një numër të vogël klikimesh.
Format kryesore të dezinformimit përfshijnë sulmet kibernetike duke ndërhyrë në baza elektronike të të dhënave qeveritare, manipulimi i mediave sociale për të ndikuar në perceptimet publike e për të polarizuar opinionin e ushtruar kryesisht me të ashtuquajtura “lajme të gjeneruara nga Inteligjenca Artificiale”. Narrativa kulturore duke shfrytëzuar tensionet fetare dhe etnike për qëllime destabilizimi. Mediat tradicionale audiovizive të cilat përdoren për përhapjen e informacioneve të manipuluara.
Siç jemi në dijeni, në korrik 2022, Shqipëria ra pre e sulmeve kibernetike të organizuara nga një grup hakerash me origjinë nga Irani. Falë bashkëpunimit me partnerë ndërkombëtarë u arrit minimizimi i dëmeve të shkaktuara nga ky sulm.
Sipas ministrit të Brendshëm, Shqipëria i ka kushtuar rëndësi të veçantë forcimit të kuadrit ligjor strategjik.
Vendi ynë ka një kuadër të plotë ligjor e strategjik në fushën e sigurisë kombëtare dhe për mbrojtjen nga sulmet me natyrë hibride e nga aktivitete të ndryshme “të zonës gri”.
Ministria e Brendshme ka nisur e do të përmirësojë të gjitha mekanizmat për votuesit jashtë vendit për rinovimin e dokumenteve të identifikimit.