Rajoni

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla: Nuk mund të zmbrapsemi para kriminelëve!

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, akuzoi presidentin serb, Aleksander Vuçiç se “përmes grupeve kriminale, po tenton të destabilizojë Kosovën”. Zyrtari bëri të ditur se qeverisë së Kosovës do t’i kërkojë që organizatat Mbrojtja Civile dhe Severna Brigada, të shpallen “terroriste”, në mënyrë që Prishtina zyrtare t’i luftojë në mënyrë më efikase. Sveçla shtoi se “pjesëtarë të komunitetit serb”, të arrestuar javët e fundit në Kosovë, janë “kriminelë, që në të kaluarën janë toleruar dhe falur”.

Në mesin e të arrestuarve nga radhët e komunitetit serb janë Dushan Obrenoviç, Radosh Petroviç, Milun Milenkoviç-Llune, Dalibor Spasiç, Urosh Vukasinoviç, Nemanja Vlashkoviç, Milan Bozhoviç dhe Sllagjan Trajkoviç.

Sipas autoriteteve, ata janë arrestuar për veprime kundër rendit kushtetues, si dhe për sulme ndaj pjesëtarëve të policisë së Kosovës e atyre të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, si dhe gazetarëve, gjatë raportimeve në veri të vendit.

Në një konferencë për media me gazetarë nga Mitrovica e Jugut, Sveçla vuri në dukje se Kosova nuk zmbrapset përballë kriminelëve.

Sundimi i ligjit për ne është prioritet. Ne po veprojmë sipas ligjit. Të gjitha këto veprime policore, arrestime që po bëhen, dëshmojnë se ne nuk mund të zmbrapsemi mbrapa kriminelëve dhe qëndrojmë të angazhuar për zbardhjen e të gjitha sulmeve dhe ruajtjen e të gjithë qytetarëve, pa dallim.

Duke komentuar operacionin e Kosovës në veri ku dje u konfiskua një makinë me targa të Beogradit me armë e pajisje shpërthyese, Sveçla tha se policia dhe Agjencia e Inteligjencës së Kosovës, “parandaluan një sulm terrorist”.

Sot, në një tjetër konferencë për media, shefi i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, deklaroi se autoritetet e Kosovës i kanë “mbjellë” armët e gjetura në veri dhe se ato janë “konfiskuar në të kaluarën nga shqiptarët e serbët”.

Por, Sveçla u shpreh se disa prej armëve të gjetura janë të vitit 2021 dhe “nuk kanë mbetur nga lufta e fundit në Kosovë”.