Rajoni

Armët e gjetura në Zveçan, Beogradi zyrtar: Kosova “i mbolli”!

Beogradi hedh poshtë deklaratat e Prishtinës se u gjetën armatime dhe municione në një makinë me targa serbe, në Zveçan të Kosovës së veriut. Drejtori i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç akuzon autoritetet e Kosovës se i kanë “mbjellë” armët.

Armët që policia e Kosovës thotë se i gjeti dje në afërsi të komunës së Zveçanit, janë konfiskuar më herët në aksionet për çarmatosjen e qytetarëve.

Një ditë më parë, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla tha se “u parandalua një sulm terrorist”, falë angazhimit intensiv të njësive speciale të policisë së Kosovës”. Sipas tij, rreth 100 metra nga komuna e Zveçanit u identifikua një automjet me targa të Beogradit, me sasi të mëdha armësh, mjetesh shpërthyese e municione.

Kjo është një tjetër dëshmi se përmes grupeve e organizatave të tilla, Serbia synon të destabilizojë vendin tonë.

Ndërkaq, sipas Petkoviçit, autoritetet serbe i njoftuan shërbimet e huaja më 20 qershor se “Kosova po përgatit operacione të reja për arrestimin e serbëve në veri”.

Në këtë plan, pjesëtarët e policisë së Kosovës po transportojnë armë e municione ilegale, që më parë ua kanë konfiskuar shtetasve të kombësive serbe e shqiptare nga të gjitha nënstacionet e policisë së Kosovës. Qëllimi i tyre është që t’i përdorin armët në fjalë për arrestime të reja të serbëve ose t’i ruajnë ato në veri dhe pastaj të bëjnë sikur i gjejnë dhe të akuzojnë serbët. Makinës ku janë gjetur armët i ka skaduar targa në vitin 2020. Presidenti Vuçiç do të shprehet për këtë çështje në 24 orët e ardhshme.

Tensionet në veri të Kosovës janë të larta prej 26 majit kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave me shumicë serbe hynë në ndërtesat komunale, me ndihmën e njësive të policisë. Serbët kundërshtojnë ndaj ka protesta të vazhdueshme. Komuniteti ndërkombëtar i bën thirrje Kosovës e të Serbisë, të marrin masa urgjente për uljen e tensioneve.