Bota

Ministri i jashtëm rus mesazh të qartë për Krimenë, Lavrov: Nuk negociojmë për territoret tona, “punë e kryer”!

Ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov ka këmbëngulur që marrja e Krimesë nga Rusia është një “punë e kryer”.

Komentet e tij vijnë pasi Donald Trump, u tha gazetarëve se ai mendon se Volodymyr Zelenskyy është gati të heqë dorë nga gadishulli.

Plani i paqes me shtatë pika i raportuar i Uashingtonit thoshte se SHBA-ja do ta njihte zyrtarisht sovranitetin rus mbi Krimenë.

Negociatat për paqe duket se kanë arritur një pikë ngërçi, teksa Zelenskyy vazhdimisht përjashton dhënien e territorit Rusisë në çdo marrëveshje armëpushimi, duke e përshkruar këtë veprim si kundër kushtetutës së Kievit.

LEXO EDHE: Lavrov sulmon BE-në dhe Kievin: Po pengojnë planet e armëpushimit, ne jemi “afruar” me Trump

Por në një intervistë me CBS News, Sergei Lavrov tha qartë se Rusia nuk “negocion territorin e vet” kur u pyet nëse ato do të vihen në tryezën e bisedimeve për paqe mes dy shteteve.

Në fillim të kësaj jave, Trump i tha revistës Time se “Krimea do të qëndrojë me Rusinë” sipas çdo marrëveshjeje paqeje, duke vënë në dukje se edhe Zelensky “e kupton” realitetin, pavarësisht deklaratave publike për të kundërtën. I pyetur nëse ai besonte se Zelensky tani ishte i përgatitur të “heqë dorë” nga gadishulli, Trump u përgjigj: “Oh, unë mendoj se po, po”.

Zelensky ka këmbëngulur vazhdimisht dhe publikisht se Kievi nuk do ta njihte kurrë zyrtarisht Krimenë si territor rus – një pozicion që Trump e ka kritikuar më parë si “shumë të dëmshëm për negociatat e paqes”.

Pavarësisht se e portretizon Zelenskyn si dikë që dëshiron të bëjë “diçka të mirë për vendin”, Trump zbuloi se udhëheqësi ukrainas i kërkoi përsëri Uashingtonit më shumë mbështetje ushtarake.

“Ai më tha se i duhen më shumë armë, por ai e ka thënë këtë për tre vjet”, tha Trump. Presidenti amerikan vuri në dukje se Kievi ishte në një “situatë shumë të vështirë”, duke luftuar “një forcë shumë më të madhe” – dhe theksoi se “i ndihmoi ata kur u dhamë armë ose para në vlerë prej 350 miliardë dollarësh”.

“Ai ka nevojë për më shumë armë dhe ne do të shohim se çfarë do të ndodhë në lidhje me Rusinë”, shtoi Trump, duke vënë në dukje se ai ishte “i zhgënjyer” me sulmet e ripërtërira të Moskës në Ukrainë.