Në lidhje me hekurudhën Durrës-Prishtinë, ministri i Infrastrukturës i Kosovës, Liburn Aliu nuk dha detaje, por tha se ky projekt po jetësohet dalëngadalë. Aliu e cilësoi “të jashtëzakonshëm” lajmin në lidhje me hekurudhën Durrës-Prishtinë. Në një postim në Facebook shkruan:
Lajm i jashtëzakonshëm që pas një sërë takimeve të njëpasnjëshme, si ai me z. Martin Vickers, deputetin dhe të dërguarin e posaçëm të Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, e më pastaj edhe me përfaqësuesit e Export Finance (UKEF), projekti i linjës hekurudhore Durrës-Prishtinë, dalëngadalë po jetësohet për të bashkuar ekonomikisht të dy vendet tona.
Më tej, vuri në dukje se sot ka qëndruar në Tiranë, bashkë me kolegë e bashkëpunëtorë, ku kanë zhvilluar një takim pune për të diskutuar vijimësinë e ndërtimit të hekurudhës “më të rëndësishme kombëtare, Durrës-Prishtinë”.
Ministri kosovar tha edhe se kjo hekurudhë do të kontribuojë në një lidhje të shpejtë të pasagjerëve dhe mallrave.
Në takim ritheksova se krijimi i linjës hekurudhore është zgjidhja më ekologjike e ndërlidhjes tonë me Shqipërinë. Bashkërisht shprehëm mirënjohjen e pamasë për përkrahjen e Britanisë dhe për mundësinë që kemi para nesh për thellimin e këtij bashkëpunimi.
Çështja e linjës hekurudhore u përmend dje edhe nga kryeministri Edi Rama, gjatë takimit në Tiranë me ministrin e Jashtëm britanik, David Cameron. Rama deklaroi se gjatë takimit me Sekretarin e Shtetit për Çështjet e Jashtme, Commonwealth-in dhe Zhvillimin e Mbretërisë së Bashkuar, Lord David Cameron kanë folur lidhur me përfshirjen e Mbretërisë së Bashkuar në një projekt strategjik për Shqipërinë e Kosovën, por edhe rajonin e që është hekurudha Durrës-Prishtinë.
Në deklaratën e përbashkët për shtyp me Lord David Cameron, kryeministri Rama vuri në dukje se “kjo hekurudhë është një element kyç i projektit në rritje të kapaciteteve të lëvizjes jo vetëm mes dy vendeve tona, por në rajon e më gjerë duke pasur parasysh që së shpejti hapim garën ndërkombëtare për portin e ri tregtar të Durrësit”.
Po ashtu, shefi i qeverisë shqiptare u shpreh:
Jemi në pritje të përgjigjes përfundimtare të NATO-s për krahun ushtarak të portit të Durresit. Edhe Kosova do të ndërtojë një port të thatë në Prishtinë.