Aktualitet

Prindërit e Nertil Buzit akuza familjes së të resë: I bëjmë thirrje të dorëzohet, por fajin…

Prindërit e Nertil Buzit, 35-vjeçarit që mëngjesin e sotëm vrau ish-vjehrrin, plagosi ish-vjehrrën dhe mori peng ish-bashkëjetuesen e tij, hedhin akuza ndaj familjes së vajzës për konfliktin që, sipas tyre, çoi në ngjarjen tragjike.

Sipas prindërve të autorit, shkaku i përplasjes ka qenë një shumë parash që Nertili kishte dërguar nga Anglia në llogari të vajzës gjatë kohës që ata bashkëjetonin. Ata pretendojnë se, pas ndarjes, djali i tyre i kishte kërkuar vazhdimisht kthimin e këtyre parave, por familja e vajzës nuk ka pranuar t’ia kthente, raporton korrespondenti i Top Channel Neritan Trifoni.

Prindërit e 35-vjeçarit thonë se mosmarrëveshja për këtë shumë monetare ka qenë në qendër të konfliktit mes palëve. Këto pretendime janë deklarime të familjarëve të autorit dhe nuk janë konfirmuar nga autoritetet hetimore.

Forcat RENEA kanë rrethuar 35-vjeçarin Nertil Buzi në fshatin Cukalat të Beratit. Ai ka liruar nga pengmarrja ish-të fejuarën e tij. Autori i dyshuar i ngjarjes së rëndë në fshatin Vidhisht të Roskovecit, me një viktimë dhe një të plagosur vrau babain e ish-partneres, Kosta Plaka dhe plagosi nënën se saj, Belere Plaka. Ai u largua nga vendngjarja duke rrëmbyer edhe vajzën, Rozalinda Plaka, por u lokalizua nga Policia e Fierit, që më pas kërkoi edhe ndihmën e forcave RENEA, për shkak se Buzi është  i armatosur. Policia po negocion për dorëzimin e tij.

Sipas informacioneve të fundit, Rozalinda Plaka, ish e fejuara e Nertil Buzit ndodhet në gjënde të rëndë psikologjike, ajo nuk ka pësuar lëndime. Ngjarja tragjike e vrasjes së Kosta Plakës dhe plagosjes së Belere Plakës, ndodhi rreth orës 06:00 të mëngjesit në banesën e viktimave, në Vidhisht të Roskovecit.

POLICIA/Informacion paraprak

Rreth orës 06:00, në fshatin Vidhisht, Roskovec, dyshohet se shtetasi R. B., 35 vjeç, ka vrarë me armë gjahu ish-vjehrrin e tij, shtetasin K. P., 58 vjeç, si dhe ka plagosur ish-vjehrrën e tij, shtetasen B. P., rreth 55 vjeçe, e cila ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje, kanë ngritur pika kontrolli dhe janë vënë në ndjekje për kapjen e autorit të dyshuar. Vijojnë kontrollet intensive për lokalizimin dhe kapjen e tij.

Nga veprimet e para hetimore dyshohet se, pas ngjarjes, autori është larguar nga vendi i ngjarjes me automjet, së bashku me ish-bashkëshorten e tij, shtetasen R. P., duke marrë me vete edhe armën e gjahut.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.