Roskoveci është tronditur mëngjesin e sotëm, ku 35-vjeçari Nertil Buzi ka vrarë me çifte ish-vjehrrin, ka plagosur ish-vjehrrën dhe më pas ka rrëmbyer ish-partneren e tij.
Pas disa orësh ai la liruar të renë, ndërsa ende vetë vijon të jetë në arrati. Emri i Nertil Buzit është përmendur në media edhe në 2022, atëherë kur në Angli u mor peng.
Ishte policia që arriti ta shpëtonte atë, ndërsa ishte rrëmbyer nga shtetas shqiptarë te evidentuar si persona me rekorde kriminale ne Angli.
Policia britanike arrestoi në atë kohë 7 shqiptarë.
Buzi u mbajt peng për një javë nën kërcënimin se do ta vrisnin nëse nuk paguheshin 400 mijë sterlina nga të afërmit.
Shkaku i pengmarrjes dyshohet se është përplasja mes dy grupeve rivale në kontrollin e shtëpive të barit. Ai ishte keqtrajtuar në mënyrë ç’njerëzore dhe videot i dërgoheshin familjarëve të tij.
Ditën kur skadonte afati pagesës, së ndërhyri policia dhe liroi pengun duke çuar në pranga 7 persona të përfshirë në këtë vepër penale.
NGJARJA E SOTME
Një ngjarje e rëndë tronditi mëngjesin e kësaj të premteje fshatin Vidhishtë të Bashkisë Roskovec.
Një 35-vjeçar, i njohur në fshat me emrin Nertil Buzi, shkoi në banesën e ish-të fejuarës së tij, ku qëlloi me armë zjarri ndaj familjarëve të saj. Si pasojë mbeti i vrarë ish-vjehrri i tij, 55-vjeçari Arben Plaka, ndërsa ish-vjehrra mbeti e plagosur. Pas ngjarjes, autori mori me forcë ish-të fejuarën dhe u largua nga vendi i ngjarjes.
Sipas informacioneve paraprake, e reja kishte qenë prej kohësh objekt i kërcënimeve nga 35-vjeçari. Ajo vazhdonte studimet për mjekësi në Tiranë, ku, sipas burimeve, autori kishte shkuar disa herë për ta kërcënuar. Për këto episode ai ishte shoqëruar dhe arrestuar më parë nga policia, por konflikti mes tyre kishte vijuar.
Ngjarja kulmoi rreth orës 05:00 të mëngjesit, kur 35-vjeçari hyri në banesën e familjes Plaka, ekzekutoi me armë zjarri Arben Plaka, plagosi bashkëshorten e tij dhe më pas mori peng ish-të fejuarën, duke u larguar nga zona.