Aktualitet

Ministria e Shëndetësisë mohon shpërthimin e fruthit në kopshtet e Tiranës: Nuk ka asnjë rast të konfirmuar!

Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik kanë dalë me një sqarim për qytetarët, duke mohuar raportimet e disa mediave mbi një pretenduar shpërthim të fruthit në një kopsht të Tiranës.

Instituti thekson se nuk ka asnjë rast të konfirmuar infektimi në asnjë institucion parashkollor në kryeqytet. Autoritetet bëjnë thirrje që informacionet të merret vetëm nga burime zyrtare, për të shmangur krijimin e panikut të panevojshëm.

Në të njëjtën kohë, Ministria dhe Instituti i Shëndetit Publik rikujtojnë prindërit për rëndësinë e respektimit të kalendarit kombëtar të vaksinimit dhe sigurojnë se vaksinimi mbetet masa më e sigurt dhe efektive për mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve dhe të komunitetit.

Por burime të Top Channel bëjnë me dije se fruthi është shfaqur tek fëmijë të pavaksinuar, të cilët, edhe pse është detyrim ligjor që asnjë fëmijë i cili nuk ka përmbushur kalendarin e detyrueshëm të vaksinimit të mos pranohet në këto institucione, gjithmonë gjenden çerdhe, kopshte dhe shkolla jo publike që e shkelin këtë detyrim, duke u bërë burim i transmetimit të sëmundjeve infektive, siç është fruthi, i cili konsiderohet vdekjeprurës.  Kjo vatër e shpërthimit të fruthit tanimë është izoluar. Burime të Top Channel bëjnë me dije se aktualisht kemi të infektuar me fruth 15 raste.

LEXO EDHE: Kreditë e këqija zvogëlohen/ Sistemi bankar më i pastër në letra, por 35.9 mld lekë të dhëna me kredi mbeten risk

Por, në një kohë kur autoritetet shëndetësore deklarojnë se vaksinimi ndaj fruthit, vaksina MMR që bëhet në moshën 1 vjeç, ka rënë për shkak të skepticizmit të prindërve dhe grupeve “novax” që nxisin mosvaksinimin, fruthi mbetet një rrezik që kërcënon shëndetin e të vegjëlve.

Mbulesa vaksinale ka rënë në afro 83% me dozën e parë, ndërkohë që OBSH kërkon që vaksinimi kundër fruthit duhet të jetë 95%. Raste sporadike me fruth ka në disa vende të Europës.