Sport

Miqësorja me Gjibraltarin, dilemat e trajnerit Silvinjo!

Kombëtarja Shqiptare e Futbollit luan ndeshjen miqësore ndaj Gjibraltarit, në “Europa Point Stadium”, ora 18:00. Kjo sfidë vjen në kuadër të përgatitjeve për sfidën e ardhshme zyrtare kundër Letonisë, në kuadër të kualifikueseve të Kupës së Botës 2026, që do të luhet më 9 shtator në stadiumin “Air Albania”. Ky është edhe një test për gjendjen e lojtarëve para sfidës zyrtare.

Shumë dilema duket se ka në lidhje me formacionin titullar. Lindin pyetjet nëse do të jetë skuadra më e mirë në fushë apo tekniku brazilian, Silvinjo do t’iu japë hapësira edhe lojtarëve që nuk kanë marrë shumë minuta në ndeshjet zyrtare?

Me shumë gjasa, porta do t’i besohet sërish Tomas Strakoshës, i cili po kalon një moment të mirë në Greqi edhe pse disa minuta mund të ketë po ashtu për portierin e Egnatias, Mario Dajsinanin.

Në mbrojtje nuk është se ka shumë alternativa, me Marash Kumbullën dhe Berat Gjimshitin, të cilët do të luajnë në qendër, të ndihmuar nga Ivan Balliu në krahun e djathë e Naser Aliji në të majtin.

Në qendër të mesfushës, Medon Berisha ose Qazim Laçi do të jenë krah Julian Shehut e Kristjan Asllanit që do të ndihmojnë sulmin. Në qendër Mirlind Daku e nga krahët Nedim Bajrami dhe Arbër Hoxha.

Në këtë sfidë, fitorja për kuqezinjtë është shumë e rëndësishme pasi motivon lojtarët për ndeshjen e të martës së ardhshme, më 9 shtator, e vlefshme ndaj Letonisë. Deri më tani, Shqipëria ka luajtur katër ndeshje, duke grumbulluar 5 pikë dhe pozicionohet në vendin e dytë me një pikë më shumë se Serbia, por Kombëtarja Serbe, ka dy takime më pak.