Tech Top Tech - News

Mirupafshim doktor, tani për çdo shqetësim ka një zgjidhje në pak sekonda?! Ja çfarë duhet të dini për ChatGPT Health…

Në çdo episod të “Top Tech” me Mateo Kadriun zbulojmë të rejat më të fundit nga bota e madhe e teknologjisë. Me informacione dhe gjithçka të detajuar rreth risive dhe mundësive që po na ofrohen çdo ditë sidomos nga Inteligjenca Artificiale me avancimin e projekteve nga më të ndryshme.

Kur ke një shqetësim shëndetësor, jo gjithmonë ke ku të shkosh. Tek mjeku është rradha plot  ose ai ka ikur me pushime, dhe Google nga ana tjetër të tremb më shumë seç të qetëson… dhe përfundon duke pyetur ChatGPT-in në orën 2 të natës: “A është normale kjo?”

Dhe mesa duket, nuk je i vetëm. OpenAI thotë se 230 milionë njerëz çdo javë pyesin ChatGPT për shëndetin. Po, 230 milionë. Ky nuk është më kuriozitet, është nevojë.

Prandaj OpenAI sapo prezantoi ChatGPT Health. Një hapësirë e veçantë ku flet vetëm për shëndetin: trupin, mendjen, ushqimin, stërvitjen. Ideja është e thjeshtë: këto biseda të mos përzihen me të tjerat, që konteksti yt shëndetësor të mos dalë papritur kur po flet për punë apo pushime.

Ka edhe diçka tjetër të madhe: ChatGPT Health mund të lidhet me aplikacione si Apple Health apo MyFitnessPal. Pra AI mund të kuptojë më mirë si jeton, si ushqehesh, si lëviz nëpërmjet Apple Watch-it që mban çdo ditë.

POR… dhe ky është “por”-i i madh. OpenAI thotë qartë: kjo nuk është për diagnoza apo trajtime. Sepse AI nuk e di të vërtetën, ajo parashikon fjalë. Dhe ndonjëherë… gabon.

Dhe po, le ta themi troç, se e mendon çdo njeri: “Po këto të dhëna, a janë të sigurta? Mos na marrin informacionet dhe nesër kemi një version dixhital tonin diku?” OpenAI thotë jo, nuk i përdor për trajnim. Por frika është njerëzore.

Pra lajmi është ky: AI po hyn seriozisht në shëndetin tonë. Mund të ndihmojë, mund të qetësojë, mund të orientojë. Por përgjegjësia mbetet tek ne.