Health & Beauty Lifestyle

Mjafton një buzëqeshje e thjeshtë, kjo mund të rrisë besimin mes njerëzve!

Një buzëqeshje e thjeshtë mund të bëjë më shumë sesa të përmirësojë humorin. Sipas hulumtimeve të reja shkencore, ajo mund të ndikojë drejtpërdrejt në mënyrën se si i perceptojmë të tjerët dhe sa shumë u besojmë atyre. Studiuesit kanë zbuluar se brenda vetëm 300 deri në 400 milisekondash pasi shohim dikë duke buzëqeshur, muskujt e fytyrës sonë fillojnë ta imitojnë automatikisht atë shprehje, shpesh pa e kuptuar fare. Psikologët e quajnë këtë fenomen “imitim emocional”, një reagim i pavullnetshëm që mund të luajë rol të rëndësishëm në krijimin e lidhjeve sociale.

Sipas Michał Olszanowski, studiues i psikologjisë në Universitetin SWPS, njerëzit imitojnë njëri-tjetrin sepse kjo i ndihmon të krijojnë afërsi dhe ndjenjë përkatësie. Në një studim të publikuar në vitin 2026 në revistën Emotion, Olszanowski dhe kolegët e tij zbuluan se sa më shumë që një person imitonte në mënyrë të pavetëdijshme buzëqeshjen e dikujt tjetër, aq më të besueshëm e vlerësonte atë person. Pjesëmarrësit që u nxitën të imitonin më shumë buzëqeshjet e të tjerëve shfaqën nivele më të larta besimi, ndërsa ata që u penguan ta bënin këtë raportuan më pak besim.

Këto rezultate sugjerojnë se një nga gjykimet më të rëndësishme sociale, vendimi nëse duhet t’i besojmë dikujt mund të fillojë me një buzëqeshje të përbashkët. Shkencëtarët thonë se ky proces lidhet me sistemin e neuroneve pasqyruese në tru. Këto neurone aktivizohen jo vetëm kur kryejmë një veprim, por edhe kur shohim dikë tjetër duke e kryer atë. Neuroshkencëtari Marco Iacoboni nga UCLA shpjegon se kur shohim dikë duke buzëqeshur, truri ynë fillon ta pasqyrojë atë veprim. Në të njëjtën kohë, buzëqeshja jonë ndikon edhe në gjendjen emocionale, duke krijuar ndjesi pozitive.